
Procesi i votimit për kreun e PD-së është shtyrë deri në orën 19:00 në disa degë të Partisë Demokratike në rrethe. Deputeti Ivi Kaso bëri me dije vendimin e selisë blu për shtyrjen me një orë të votimit në degët e mëdha.
"Është proces i cili është drejt përfundimit në disa degë të vogla, të cilat e kanë ezauruar procesin për shkak të kohëzgjatjes së tyre. Por veçanërisht në degët qendër qarku si dhe në disa degët më të mëdha të Tiranës, të cilët kanë një numër të lartë votuesish, është parashikuar mbas komunikimit të tyre me KOKOE-n, është marrë vendim përkatësisht për çdo degë, që ky proces të mbyllet në orën 19:00. Përfitoj nga rasti t'u bëj thirrje të gjithë demokratëve të degëve të mëdha të Tiranës si dhe të degëve veçanërisht të qendrës së qarkut, të qarqeve më të mëdha të cilat kanë kërkuar që procesi të zgjatet deri në orën 19:00, që të dalin dhe të kenë mundësi që të ushtrojnë të drejtën dhe detyrimin e tyre statutor për të votuar në procesin e sotëm", tha Kaso.
A2 CNN mëson se është shtyrë me një orë procesi i votimit në degën e PD-së Durrës dhe Fier. Edhe në degën e Mallakastrës, Patosit dhe Roskovecit, procesi i votimit është shtyrë me një orë.
Ndërkaq është mbyllur procesi i votimit në degën e PD-së Lushnjë, me 592 vota dhe në degën e Divjakës me 403 vota. (A2 Televizion)