Pas territoriales rikthehet në Kuvend edhe diskutimi për Reformën Zgjedhore me të gjitha palët pas dy muajsh pezullim. Edhe pse ulën bashkë, mungesën e besimit ndaj njëri-tjetrit nuk e fshehin, ku demokratët e Sali Berishës e bërtasin më të madhe thirrjen që socialistët në fund të mos e tradhtojnë konsensusin. “Në vitin 2020 u arrit një dakordësi politike dhe më pas e gjitha u prish. Në Parlament u votua diçka krejt tjetër. Sistemi zgjedhor është një nga problemet kryesore që neve sot kemi”, tha Oerd Bylykbashi.
Ndërsa socialistët kishin një mesazh për partitë e vogla opozitare. “Një nga partitë ka anëtarë të plotë, nuk e di pse nuk merr pjesë. Kërkon ndryshim të sistemit zgjedhor, gjithë ditën flet në televizor në lidhje me nevojën për ndryshimin e sistemit zgjedhor dhe nuk merr pjesë në këtë mbledhje kur ka një vend të garantuar”, tha Damian Gjiknuri.
Detyra e parë e anëtarëve të zgjedhores lidhet me ligjit për financimin e partive politike, një kërkesë e ngutshme nga ana e Bashkimit Europian si një domosdoshmëri për negociatat. “Produkti do të diskutohet mes partive politike, thashë me ekspertizë. Mund të shkojnë dhe në Komisionin Europian. Pra do të thotë që do të kemi dhe një rishikim final”, tha Gjiknuri. “A janë burimet e mjaftueshme për të pasur një financim partish të tillë që nuk i bën partitë të varura karshi presioneve nga shteti apo jashtë faktorëve shtetëror”, tha Bylykbashi, përcjell A2. “Ligji i partive politike dhe i financimit të partive politike kërkon 71 vota. Mazhoranca e ka thënë në fjalën e saj që ne këtë ligj duam ta trajtojmë në mënyrë konsensuale”, iu përgjigj Gjiknuri.
Mazhoranca kërkon që numërimi i votës të rikthehet në qendrat e votimit, por opozita ka një kusht që të mos lejohen bandat në këto qendra. Një vullnet politik që sipas bashkëkryetarit demokrat nuk ka ndodhur nga Partia Socialiste deri në zgjedhjet e fundit. “S'e kuptoj tani çfarë filozofie duhet. Mbaroi votimin në orën 7:00, mbyll kutinë, merr proces verbalin, hape aty në dritë të diellit edhe vëzhguesit e partive politike. Me kamerat, po aty. Edhe të dalë rezultati për dy orë”, tha Ulsi Manja.
“Duhet të vrasim mendjen. Kush është ekspertiza që mos ketë grupe kriminale te qendra e votimit në momentin kur po numërohen votat? Kur po votohet dhe kur po numërohen votat?”, tha Bylykbashi.
Me 83 vota në parlament të majtët janë më të relaksuar në tryezën e dialogut madje duke gjetur hapësirë edhe për doza humori. “Do ishte mirë të kemi dhe ekspertë nga OKB-ja ose Bordi i Paqes se Genti u bashkua me mua në fakt që duhet ngrit niveli i ekspertizës. Po prapë tha fol me këta të dy. A kupton?”, tha Manja.
Për reformën zgjedhore do të punojnë gjashtë ekspertë. Viktor Gumi, Elena Gjina dhe Dardan Malaj të Partisë Socialiste, ndërsa të opozitës Franc Nuri, Arjan Madhi dhe Muharrem Çakaj. (A2 Televizion)