
Ka nisur grumbullimi i studentëve shqiptarë në Shkup, në kuadër të protestës për përdorimin e gjuhës shqipe në institucionet e Maqedonisë së Veriut.
Një nga studentët organizatorë të protestës, në një intervistë për gazetarin e A2 CNN, Artin Hallili, deklaroi se protesta është vazhdim i reagimit të parë, pasi sipas tij autoritetet nuk kanë reflektuar ndaj kërkesave të studentëve.
“Kjo protestë erdhi si pasojë e moslejimit të dhënies së provimit të jurisprudencës në gjuhën shqipe. Pas protestës së parë, qeveria nuk reflektoi për kërkesat tona. Sot jemi mbledhur sërish për t’u treguar se nuk nënshtrohemi dhe nuk do të lejojmë të na shkelin të drejtat. Ne nuk do të dorëzohemi, nuk do t’i lëmë të na shkelin; shqipja flitet dhe shkruhet”, u shpreh ai.
Ai shtoi se tashmë kërkesat janë zgjeruar dhe studentët kërkojnë që gjuha shqipe të përdoret në çdo institucion shtetëror dhe në çdo komunikim institucional në Maqedoninë e Veriut. (A2 Televizion)