Nazarko: Shqipëria dhe Kosova të veprojnë bashkë ndaj Shkupit, të kërkojmë hisen tonë

Nga A2 CNN
28 Prill 2026, 22:39 | Shqipëria

Gazetari Mentor Nazarko ka komentuar incidentin e fundit që lidhet me mesazhet e publikuara në rrjete sociale, ku pretendohet se ministri i Jashtëm Ferit Hoxha ka përdorur gjuhë fyese ndaj shqiptarëve në Maqedonia e Veriut.

I ftuar në “Off the Record” në A2 CNN me gazetarin Andrea Danglli, Nazarko e cilësoi situatën si një incident të pakëndshëm, por që sipas tij duket se është tejkaluar. 

Gjithashtu Nazarko theksoi se Shqipëria dhe Kosova duhet të ndjekin një strategji të përbashkët ndaj Shkupit, duke mbrojtur interesat kombëtare, por pa krijuar tensione të panevojshme në rajon.

 “Pati dhe ajo një incidencë me mënyrën se si u quajtën shqiptarët. Pastaj pati edhe një vizitë të presidentit Begaj. Pra, Tirana ishte e pranishme dhe kjo është një konsideratë. Konsiderata e tretë është se çfarë ishte ai shkrimi i ‘Nova Makedonia’ që provokoi këtë reagim, që unë e quaj një incident fatkeq, i cili megjithatë duket sikur u tejkalua.

Unë mendoj që ne duhet të qasemi ndaj Maqedonisë, ndaj kësaj qeverie, ndryshe. Duhet të qasemi bashkë me Kosovën. Shqipëria dhe Kosova janë partnerët kryesorë tregtarë të Maqedonisë së Veriut. Pa ne, ata nuk kanë ku të shesin produktet e tyre agroushqimore apo agroindustriale.

Në Maqedoni jetojnë nga 30 deri në 50% shqiptarë. Ne nuk mund të sillemi sikur ai është një vend i parëndësishëm. Është një vend ku kalojnë korridoret tetë dhe dhjetë. Ne duhet të kërkojmë hisen tonë kombëtare në atë vend, por në marrëdhënie konstruktive me të.

Nuk duhet ta hidhërojmë dhe çështje të tilla si gjuha e të tjera duhet t’i kalojmë jo në mënyrë ekskluziviste etnike, por përmes dialogut dhe mirëkuptimit, duke u qasur bashkë me Kosovën, pasi Kosova ka marrëdhënie të mira me këtë qeveri sot.”, tha Nazarko.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos