Komplikacionet e gripit tejmbushin spitalet në vend. “Shefqet Ndroqi”, spitali i specializuar për trajtimin e sëmundjeve të mushkërive është në kapacitete maksimale, për shkak të fluksit të lartë të urgjencave dhe shtrimeve.
Kjo javë është mjaft e ngarkuar thonë mjekët, me pacientë të moshuar dhe në gjendje të rëndë, shkruan A2.
Pneumologu Arben Tanka thotë se thuajse të gjitha rastet që paraqiten në Sanatorium kanë nevojë për oksigjenoterapi për shkak të niveleve të ulta të oksigjenit në gjak. Nuk mungojnë të sëmurët me pneumoni të rënda, deri dhe në intubim.
Epidemia e gripit po shkon drejt kulmit të saj. Mbi 20 mijë raste në javë raportohen të prekur nga gripi i tipit A dhe kryesisht nëntipi AH3N2.
Mjekët thonë se kurba e infektimeve do të jetë në pikun e saj edhe përgjatë dy javëve të para të shkurtit. Për moshat e treta dhe të sëmurët kronikë rekomandohet kryerja e vaksinës së gripit e cila në përbërjen e saj ka variantet në qarkullim. (A2 Televizion)