Ja sëmundjet që radiologjia zbulon para simptomave

Nga A2 CNN
26 Korrik 2026, 18:37 | Sociale

Nga Freskida Miloti

Shumë sëmundje zhvillohen në heshtje për vite me radhë, pa dhënë asnjë shenjë paralajmëruese. Pikërisht për këtë arsye, diagnostikimi në kohë përmes ekzaminimeve radiologjike mbetet një nga armët më të fuqishme të mjekësisë moderne për të parandaluar komplikacionet dhe për të rritur shanset e trajtimit të suksesshëm.

Në emisionin “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, mjeku radiolog Dr. Dorian Skënderaj shpjegoi se radiologjia ka një rol kyç në zbulimin e hershëm të shumë patologjive, edhe kur pacienti nuk paraqet asnjë simptomë.

Sipas tij, ekzaminimet imazherike mund të evidentojnë në fazat fillestare lezione të gjirit, patologji pulmonare, kancerin kolorektal, gurët në tëmth apo veshka, si edhe sëmundje të zemrës dhe trurit, duke krijuar mundësinë për ndërhyrje të hershme dhe trajtim më efektiv.

Një rëndësi të veçantë ai i kushtoi skriningut, sidomos tek personat me faktorë rreziku, si duhanpirësit kronikë, individët mbi moshën 40 vjeç dhe ata me histori familjare të sëmundjeve tumorale. Në këto raste, kontrollet periodike mund të bëjnë diferencën mes një diagnoze të hershme dhe një sëmundjeje të zbuluar në stad të avancuar.

Dr. Skënderaj sqaroi gjithashtu dallimet mes metodave kryesore të diagnostikimit imazherik. Ekografia, e cila përdor ultratinguj, nuk ka rrezatim jonizues dhe konsiderohet një ekzaminim shumë i sigurt. Skaneri (CT) funksionon me rreze X dhe përdoret vetëm kur ka indikacion të qartë mjekësor, ndërsa rezonanca magnetike (MRI) përdor fushë magnetike, nuk ka rrezatim jonizues, por nuk mund të kryhet nga të gjithë pacientët, si në rastin e disa implanteve metalike ose pajisjeve të caktuara kardiake.

Gjatë intervistës u diskutua edhe për rëndësinë e interpretimit korrekt të gjetjeve radiologjike. Jo çdo nodul apo lezion i zbuluar në një ekzaminim është malinj. Shumë prej tyre janë beninj dhe kërkojnë vetëm ndjekje periodike, ndërsa në rastet e dyshimta, radiologu orienton pacientin drejt ekzaminimeve plotësuese, si mamografia, rezonanca magnetike apo biopsia, për të vendosur diagnozën përfundimtare.

Një tjetër mesazh i rëndësishëm ishte shmangia e vetëdiagnostikimit dhe kryerjes së ekzaminimeve pa rekomandimin e mjekut. Sipas specialistit, zgjedhja e metodës së duhur diagnostike duhet të bëhet gjithmonë nga mjeku, në varësi të simptomave, historisë klinike dhe nevojës reale të pacientit.

Dr. Dorian Skënderaj ndau edhe disa këshilla praktike për përgatitjen para ekzaminimeve radiologjike. Për shembull, ekografia abdominale kërkon që pacienti të jetë esëll, ndërsa për ekzaminimin e aparatit urinar është e rëndësishme që fshikëza të jetë e mbushur. Mosrespektimi i këtyre udhëzimeve mund të ndikojë në cilësinë e diagnostikimit dhe, në disa raste, të çojë në rezultate jo të sakta.

Mesazhi kryesor i kësaj bisede ishte i qartë: kontrollet periodike dhe diagnostikimi i hershëm shpëtojnë jetë, ndërsa radiologjia mbetet një nga shtyllat më të rëndësishme të mjekësisë parandaluese.

Emisioni “Diagnozë”, nga autorja dhe moderatorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:00, me tema të rëndësishme që lidhen drejtpërdrejt me shëndetin. Qëndroni të informuar nga mjekë profesionistë, për një jetë dhe shëndet më të mirë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos