
Mjekja endokrinologe Xhesika Koçaj ka shpjeguar se predispozita gjenetike luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e lipedemës, veçanërisht kur kombinohet me ndryshimet hormonale.
E ftuar në emisionin “Dita Jonë” në A2 CNN, Koçaj u shpreh se personat që kanë trashëgimi gjenetike për këtë gjendje kanë më shumë gjasa ta zhvillojnë atë, nëse plotësohen edhe faktorët e tjerë që ndikojnë në shfaqjen e sëmundjes.
“Nëse predispozita gjenetike është aty, në një çrregullim hormonal ti ke shumë më shumë shanse sesa një person që nuk e ka predispozitën gjenetike. E njëjta gjë ndodh edhe me diabetin apo tensionin.
Kur ke predispozitë gjenetike dhe plotësohen edhe kushtet e tjera që kërkon sëmundja, rreziku është shumë më i lartë”, tha Koçaj.
Endokrinologia gjithashtu theksoi se puberteti përbën një nga momentet më të rëndësishme për zhvillimin e lipedemës, pasi në këtë periudhë ndodhin luhatje të forta hormonale që, së bashku me predispozitën gjenetike, krijojnë kushtet për shfaqjen e saj.
“Gjenetika është shumë e rëndësishme, sidomos te lipedema. Në momentin e pubertetit, kur fillojnë luhatjet hormonale, bashkohen dy kushtet kryesore që kërkohen që kjo gjendje të zhvillohet”, përfundoi ajo. (A2 Televizion)