Ka shumë prindër që qëndrojnë në Shqipëri dhe i marrin të ardhurat nga fëmijët e tyre emigrantë për të mbijetuar.
Një prej tyre është edhe Luciana Xufeli, e cila për “Dita Jonë” në A2CNN tregoi sakrificat e djalit të saj në emigrim.
“Dinjiteti nuk është që unë të rrjep fëmijët. Ky s'është dinjitet. Po unë s'kam çfarë të bëj. Unë dhe gjithë të tjerët. Dinjiteti është që unë të kem të ardhurat e mia. Unë dhe burri, 30.000 lekë në muaj të dy s'mund t'i marrim. 13 000 ai, 7200 unë, që ka shkuar 10 000 me ato rritjet me nga 200 lekë”, tha pensionistja.
“Unë kam qenë aktive në çdo protestë, kam folur, më ka dalë diçka e brendshme, e paimponuar nga askush sepse kam parë që unë po pi gjakun e fëmijëve. Të të mbajë një emigrant nuk të mban thjesht me djersë, të mban me gjak. Në dhe të huaj s'mund të mbash dy familje. Ai është gjak. Ai na merr përditë dhe thotë: A keni ndonjë shqetësim? A duhet të bësh ndonjë analizë? Ilaçet neve i marrim privat. Më pyet: Pse je sëmurë? Mos ke marrë ilaçet e shtetit? Më thotë merri te privati. Një ditë isha sëmurë nga shtylla dhe nuk po i ankohesha. Por, ai më kupton nga fytyra kur flas se kam diçka. Ç’ke, më thotë mua. I thotë vajza që më dhimbte mesi. Më tha të bëja rezonancën direkt, ku të jetë më e mira”, shtoi pensionistja.
(A2 Televizion)