Në Shërbimin e Neurokirurgjisë, në QSUNT u krye një ndërhyrje e suksesshme - DBS (stimulimi i thellë i trurit) për sëmundjen e Parkinsonit, te një paciente 50 vjeçare, njoftoi ministrja e Shëndetësisë Albana Koçiu. “Kjo ndërhyrje specifike dhe tejet e domosdoshme për trajtimin e Parkinsonit, mbulohet tërësisht nga buxheti i shtetit, duke sjellë 0 (zero) kosto për pacientin”, shkroi ajo në një postim në Facebook.
“Mirënjohje për ekipin mjekësor: Prof. Dr. Artur Xhumari, Prof. Dr. Ridvan Alimehmeti, Dr. Gramoz Brace, anestezist-reanimator Dr. Mithat Demneri, neurologet Dr. Shk. Florian Dashi, Prof. Ilirjana Zekja, Specializantët: Dr. Aurora, Dr. Kejsi, Dr. Sidorela, si dhe infermieret: Manjola Pjetri, Ganimete Arapi dhe Anxhela Gjonaj”, tha ministrja.
Stimulimi i Thellë i Trurit (DBS) është një trajtim kirurgjikal për sëmundjen e Parkinsonit, i cili ndihmon në kontrollimin e simptomave motorike. Procedura përfshin implantimin e elektrodave në tru, të cilat dërgojnë impulse elektrike për të rregulluar aktivitetin anormal të qelizave nervore. Pajisja kontrollohet nga një stimulues i vendosur në kraharor, i ngjashëm me një pacemaker. DBS është i miratuar nga FDA që nga viti 1997 për trajtimin e dridhjeve dhe nga viti 2002 për simptomat e avancuara.
Sipas “Parkinson’s Foundation”, kjo terapi ndihmon në zvogëlimin e dridhjeve, ngurtësisë dhe lëvizjeve të pavullnetshme. Gjithashtu, zvogëlon nevojën për medikamente, duke ulur efektet e tyre anësore. Për pacientët e përzgjedhur me kujdes, DBS mund të përmirësojë ndjeshëm cilësinë e jetës, shkruan A2 CNN. Megjithatë, nuk është një kurë për Parkinsonin dhe nuk ndihmon në simptomat që nuk kanë lidhje me lëvizjen, si problemet me kujtesën apo të folurin.
Kostoja e procedurës varion nga 35 000 deri në 100 000 dollarë, në varësi të vendit dhe institucionit ku kryhet. DBS nuk është i përshtatshëm për të gjithë pacientët; përzgjedhja bëhet bazuar në historinë mjekësore dhe reagimin ndaj medikamenteve.
Pas operacionit, pacientët duhet të ndjekin një periudhë rehabilitimi dhe rregullimi të stimulatorit. Shumica e pacientëve ndjejnë përmirësim të ndjeshëm në funksionet motorike brenda pak javësh ose muajsh. Pajisja mund të rregullohet nga mjeku për të siguruar efektivitetin maksimal. Pavarësisht përfitimeve, DBS nuk ndalon përparimin e sëmundjes. (A2 Televizion)