Çmimi i energjisë elektrike në bursë ka kapërcyer 465 euro megavat/orë, duke përhapur kështu panik në tregje për periudhën në vijim. Kjo është vlera e dytë më e lartë pas rekordit prej 554 euro megavat/orë të shënuar në nisje të luftës Rusi-Ukrainë.
“Bursa normalisht që ka çmime ditore, ka çmime orare, domethënë është e lëvizshme. Por sasitë që blihen janë shumë të vogla me tarifa shumë të larta”, thotë për A2 CNN Eduard Elezi, ekspert për energjinë.

Situata jo e favorshme hidrike ka bërë që në këtë vit të vështirë Shqipëria të përqendrohet kryesisht te importi. Sipas të dhënave nga Korporata Elektroenergjitike Shqiptare rreth 50 për qind e energjisë së nevojshme aktualisht po vjen nga jashtë.
“Përsëri po shkojmë në ato nivele të kaskadës që mund të sjellin probleme në shtator dhe tetor, nëse nuk do të kemi reshje. Ky është p[problemi i vetëm, menaxhimi i blerjeve ditore ose javore nuk është efikas dhe normalisht që sjell kosto shumë të shtuara në këtë sektor”, thotë Elezi.

Zhvillimi i përgjithshëm ekonomik global, ngërçet e shkaktuar në zinxhirë të ndryshëm edhe lufta Rusi-Ukrainë kanë bërë që ekspertët të vlerësojnë se ndoshta stabilizimi i tregut energjetik do të vijë në vitin 2025. (A2 Televizion)