Jude Bellingham u kthye në protagonist të rrjeteve sociale mbrëmjen e së dielës, pasi kamera e kapën duke shkëmbyer fanellën me mesfushorin e Shqipërisë, Kristjan Asllani, në pushimin e ndeshjes eliminatore të Botërorit në Tiranë. Mesfushori i Real Madridit u pa duke ndërruar bluzat me Asllanin teksa skuadrat po largoheshin drejt tunelit, një veprim që zakonisht ndodh pas përfundimit të ndeshjes.
Ky moment shkaktoi reagime të menjëhershme nga tifozët, të cilët e panë ndërrimin e fanellave gjatë pjesës së parë si të pazakontë për një ndeshje zyrtare. “Bellingham po ndërron fanellën në pushim??? Këtë e bën në fund të ndeshjes!”, shkroi një tifoz i revoltuar. Ndërkohë një tjetër komentoi: “Është ndeshje ndërkombëtare, çfarë po bën?!”.
Shpejt reagimet u kthyen në humor. Një përdorues postoi imazhin e trajnerit të Nottingham Forest, Sean Dyche, me mbishkrimin e famshëm “utter woke nonsense”, një meme e përdorur shpesh në debatet për futbollin modern. Të tjerë shpërndanë foton ikonike të Roy Keane me shikimin e tij të zemëruar, duke ironizuar situatën: “Bellingham shkëmben fanella në pushim…".
Pavarësisht zhurmës online, episodi nuk e zbehu fitoren e Anglisë, që në Tirane kërkonte të mbyllte grupin me 100% fitore, pasi e kishte siguruar prej kohësh vendin e parë në Grupin F. Shqipëria, nga ana tjetër, kishte prerë biletën për “play-off” pas triumfit kundër Andorrës disa ditë më parë.
Bellingham u rikthye titullar në këtë sfidë, pasi ndaj Serbisë kishte nisur nga stoli. Megjithatë, në fund të mbrëmjes, ai u komentua më shumë për një moment jashtë fushe sesa për lojën e tij. (A2 Televizion)
