
Bardhi Sejdarasi, ekspert për ekonominë, u shpreh në A2 Business Week se gabimi më i madh që është bërë me ARMO-n ka qenë sistemi fiskal. Sipas tij, 3 kompanitë e fundit duhet të kishin paguar të paktën detyrimet ligjore.
“Privatizim kriminal dhe një menaxhim kriminal që nga viti 2008 deri sot. Nuk e di çfarë e shtyu qeverinë të bënte privatizimin. Në këtë privatizim, 54 asetet kryesore nuk janë pronë e askujt, përveçse e një banke të një niveli të dytë. Sot, kompania ka 700 milionë euro borxh. Të gjitha kompanitë që janë afruar kanë punuar për të shlyer kredinë te banka.
Kompanitë që kanë ardhur më pas, jo vetëm që nuk e kanë shlyer borxhin, por e rritën atë edhe më tej. Këtu unë marr guximin të them se një nga defektet më të mëdha ka qenë në sistemin fiskal. Sistemi fiskal, të paktën në 3 kompanitë e fundit, nuk arriti dot të bënte që të paktën të pagueshin detyrimet ligjore. Sot nuk mund të lejohet asnjë biznes, që detyrimet që ka ligji t'i anashkalojë. Kompania e fundit anashkaloi edhe akcizën e naftës. Këtu ka një problem të madh, i cili duhet të fillojë me një hetim të drejtpërdejtë dhe me një analizë të plotë”.
Ndërkohë, Ilir Bejtja, zëvendësministër i Infrastrukturës dhe Energjetikës, u shpreh se nga viti 2015 e këtej, ARMO ekziston vetëm në letër, nuk ka më asete.
“Kalvari i ndërrimit dhe menaxhimit ka sjellë edhe borxhe të ndryshme, me tatime, taksa ndaj bankave apo edhe pagat e punonjësve. Ne jemi mbledhur disa herë me sindikatat, deri kur arritëm në pikën kulminante, kur nga janari 2015, deri në gusht 2016, nuk u paguan më pagat. Kjo është një histori korrupsioni e nisur shumë më përpara dhe filloi të dalë mbi ujë atëherë kur përgjegjësia e pronarëve dhe ortakëve u bë evidente për shkak të paaftësive të tyre paguese. Kanë maturuar 248 milionë dollarë kredi, kanë maturuar borxhe ndaj palëve të treta mbi 50 mln dollarë, 12 milionë dollarë i kanë për pagat ndaj punonjësve, i ka ARMO, kanë edhe 185 milionë dollarë detyrime për akcizën, e të tjera. Nuk ka pasur as investime, por është fryrë me vendime të ndryshme.
Në këtë situatë, shteti nuk mund të ndërhynte, pasi nuk ka pasur vendimmarrje mazhoritare. Në vitin 2015, nuk mbeti më të merreshe me ARMO-n. Në vitin 2015 nuk ishte e aftë të paguante detyrimet dhe të gjitha bankat thirrën kolateralet dhe i kishte vënë për kolateral uzinën dhe uzinën e morën bankat, duke e administruar nëpërmjet zyrave përmbarimore. Nga viti 2015 e këtej, ARMO ekziston vetëm në letër, nuk ka më asete”. (A2 Televizion)