
Gjykata e Posaçme refuzoi të martën një kërkesë të ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj, për liri. Beqaj kërkoi zëvendësim të masës “arrest në burg” në të cilën qëndron prej korrikut 2024, raporton A2 CNN, por kërkesa nuk u pranua.
Në seancën e mëparshme, më 31 mars, Beqaj kishte dorëzuar më shumë se 20 vendime të Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, mbi të cilat Ilir Beqaj mbështeti kërkesën e tij. Për këtë arsye seanca u shty për më 7 prill, pasi prokurorët e SPAK kërkuan më shumë kohë për t’u njohur me praktikat e Strasburgut të cituara nga avokati i ish-ministrit në sallën e gjyqit.
Beqaj akuzohet në dosjen “SASPAC” për disa vepra penale mes të cilave “korrupsion” dhe “fshehje të pasurisë”.
Në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura më 31 mars, ish-ministri, i tha gjyqtares së posaçme, Elsa Ulliri, se për shkak për shkak të fazës në të cilën ndodhet dosja ndaj tij, atë të shqyrtimit paraprak, ai nuk ka asnjë mundësi të ndikojë te provat. Po ashtu, ai ka pohuar se nuk rrezikon as të largohet, duke përdorur si argument, gjyqin tjetër në gjykatën e Posaçme, atë të dosjes “Sterilizimi”.
“Siç ju jeni në dijeni, është shprehur Beqaj, kam kërkuar gjykim të zakonshëm. Është në interesin tim të mos i shmangem atij gjykimi”.
Më tej, duke ju referuar faktit se qëndron prej 21 muajsh në paraburgim dhe llogaritjes së kohës, ish-ministri ka pretenduar se edhe në rast se do të dënohej, praktikisht ka vuajtur 31,5 muaj dënim. (A2 Televizion)