"Vëmë flamurin shqiptar në tru", neurokirurgu tregon rastin e veçantë

Nga A2 CNN
7 Prill 2026, 11:34 | Aktualitet

Neurokirurgu i njohur shqiptar Kita Sallabanda me mbi 26 vite eksperiencë në Spanjë ka ndarë në Dita Jonë në A2 CNN disa nga historitë më të veçanta të karrierës së tij, teksa ka treguar përkushtimin ndaj pacientëve dhe lidhjen e fortë me Shqipërinë.

Ai theksoi se, pavarësisht jetës dhe punës jashtë vendit, nuk i ka shkëputur asnjëherë marrëdhëniet me atdheun, duke ndihmuar vazhdimisht pacientë shqiptarë.

“Unë vërtetë punoj në Spanjë, por kam një lidhje shpirtërore shumë të madhe me Shqipërinë dhe i sëmuri është i sëmurë. Është në Shqipëri, është në Itali, është në Amerikë. Mua më vijnë nga shumë vende të botës të sëmurë, dhe i trajtoj me shumë dashuri, por mbi të gjitha ata që vijnë nga Shqipëria, sepse unë jam shqiptar, kështu që kam një dedikim të veçantë për sëmurët shqiptarë”, u shpreh ai në Dita Jonë në A2 CNN.

Një nga rastet më të veçanta që ai kujton është operacioni i një pacienti, i cili kishte humbur aftësinë për të folur në gjuhën spanjolle gjatë ndërhyrjes kirurgjikale. Për të identifikuar zonat e trurit që kontrollojnë gjuhët, mjeku tha se vendosin flamuj simbolikë në tru, për të dalluar zonat e të folurit për secilën gjuhë.

“Është një rast tjetër te një spanjoll me origjinë rumune. Duhet të dini që të folurit ka qendrat e veta në tru. Domethënë dhe të folurit spanjisht, ose të folurit gjermanisht, rumanisht, ose shqip është një qendër e caktuar e trurit dhe gjatë operacionit nuk më fliste më spanjish, se unë kisha prekur zonën e të folurit spanjisht të trurit. Nuk më fliste spanjisht. Domethënë filloi të më fliste vetëm rumanisht dhe i sëmuri ishte i zgjuar. Më fliste rumanisht. Pastaj u hoqën të gjithë tumorët dhe kishte një tumor që duhet ta bënte kirurgjinë. Dhe mbas një jave ai filloi të fliste përsëri spanjishten. Neve vëmë flamuj të vogjël mbi zonën e të folurit. Për shembull atje ku flitet shqip vë flamurin shqiptar. Atje ku flitet anglisht vë flamurin anglez që unë të koordinoj zonat e të folurit”, tha neurokirurgu në A2 CNN.

Në Dita Jonë në A2 CNN ai ndau edhe histori të tjera prekëse nga pacientë që i kanë mbetur gjatë në kujtesë, përfshirë një vajzë që doli nga koma pas një operacioni të vështirë dhe e konsideroi atë  si babain e dytë.

Ai theksoi gjithashtu përparimet e mëdha në mjekësi, sidomos në teknologjitë minimale invazive dhe përdorimin e inteligjencës artificiale, të cilat sipas tij do të transformojnë mënyrën e trajtimit të sëmundjeve në të ardhmen.

Duke e cilësuar neurokirurgjinë si një nga fushat më të avancuara dhe intriguese të mjekësisë dhe apeloi për mbështetje për shkencën në mjekësi.

“Duhet të mbështesim shkencën në mjekësi sepse shkenca në mjekësi po bën përparime të jashtëzakonshme dhe kjo është pjesë e përparimeve që bëhen në mjekësi. Prandaj duhet të mbështesim gjatë gjithë këtij viti me gjithë aktivitete, me propagandë, me gjithçka për zhvillimin e shkencës mjekësore. Është viti i shkencës në shëndetësi”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos