Spiropali i përgjigjet Bashës: I ke shpëtuar drejtësisë me fakte të provuara. SPAK t’u heqë pluhurin dosjeve

Nga A2 CNN
17 Shkurt 2022, 11:20 | Politikë
Spiropali i përgjigjet Bashës: I ke shpëtuar

“Lulzim Basha është shembulli i gjallë se si - jo për këto afera që thotë ky e për numra që i përsërit, se nga matematika nuk merr vesh - por për fakte e procedura të provuara e vjedhje të provuara, ka shpëtuar vetë pikërisht për shkak të asaj drejtësie”. Kështu iu përgjigj ministrja e Shtetit, Elisa Spiropali, akuzave të kreut të PD-së, Lulzim Basha, për çështjen e inceneratorëve.

https://youtu.be/GwKc3hIDrMU

“Ka vetëm një arsye pse gjithçka që u tha këtu nga Basha, është e pabesueshme për këdo që ka mend në kokë, sy për të parë, e vesh për të dëgjuar. Mungesa absolute e koherencës në ato që thotë dje, ato që bën sot, ato që do të thotë nesër, është ulëritëse. Është i njëjti njeri që javë pas jave, muaj pas muaji e ditë pas dite, përsërit që reforma në drejtësi është e kapur nga kjo shumicë, që i ka shërbyer kësaj shumice dhe që është një vegël në duart e tyre. Është po i njëjti njeri sot që flet për hetime nga institucionet që janë krijuar, përmes vullnetit politik të kësaj shumice dhe të kryeministrit Edi Rama. Për të parë, si është drejtësia sot, duhet të shohim si ishte drejtësia dje. Kush e mendonte në Shqipëri që kryebashkiakë, udhëheqës politikë, ministra apo drejtues të tjerë do të viheshin në dyshim, le më të merreshin të pandehur e të dilnin para prokurorisë. Lulzim Basha është shembulli i gjallë se si, jo për këto afera që thotë ky e për numra që i përsërit, se nga matematika nuk merr vesh, por për fakte e procedura të provuara e vjedhje të provuara ka shpëtuar vetë pikërisht për shkak të asaj drejtësie. Ky merret e pyetet nga prokurorë belgë. Flet këtu për gishta e duar, brenda e jashtë zullumit, ky që vetëm dy gishta ka larë dhe është i zhytur i gjithi brenda”, tha ajo.

Spiropali tha, gjithashtu, se kjo mazhorancë lejoi ngritjen e komisionit për inceneratorët. Siaps saj, Tabaku është kthyer aty në prokurore dhe ka dalë në ballë të betejës, duke shpallur njerëz fajtorë, por fajtorët, thotë ajo i shpall drejtësia.

“Ne lejuam të ngrihej komisioni për hetimin e procedurave për inceneratorët, por në fakt është për menaxhimin e mbetjeve, që ishin bërë mullar në këtë vend, sepse ju nuk keni pasur kurrë mendjen të pastronit Shqipërinë. E morëm këtë vendim për t’iu dhënë juve mundësinë, por edhe për të qenë transparencë, se ne nuk kemi gjë për të fshehur. As ju, dhe as znj. Tabaku, që është kthyer aty në prokurore, se ka merak mos e sulmojnë të sajët, deri sot ka qëndruar e heshtur, ndërsa sot ka dalë në ballë të betejës, duke shpallur njerëz fajtorë. Po ku jemi këtu ne? Ne nuk çojmë njerëz në burg, atë e bën drejtësia. Jemi ndarë nga ai sistem, ku njerëz me pushtet qëndronin të pandëshkuar. Me sistemin e pandëshkueshmërisë, të kapjes së shtetit, neve nuk na lidh asgjë, siç ju lidhte juve kokë e këmbë. Ne kemi marrë vendimin për të çliruar këtë vend nga ju e zgjedha që kishit vënë mbi këtë pushtet kushtetues. Qytetarët e kanë bërë zgjedhjen politikisht dhe ju nuk i bindni dot. Zgjedhje pas zgjedhje ato ju kanë lënë juve opozitë gjithnjë e më të vogël, sepse ju jeni të pavërtetë në ato që thoni, sepse qëllimet tuaja, janë për interesin tuaj. Sot që interesi juaj është i ndarë mes dy njerëzve, ju bëni garë se kush do shkojë më parë në burg. Çoni letra prej hetuesi nëpër ambasada. Nuk e përcaktoni ju se kush shkon në burg, shkoni e përgjigjuni për ato që keni bërë. Patjetër që ky sistem drejtësie nuk është perfekt, jep shenja se mund të intimidohet, por po ndryshon. Por në fund, përtej këtij sistemi, është edhe gjykata e pagabueshme, vota e qytetarëve, që ju nuk e keni, e nuk do ta keni”.

Spiropali iu bëri thirrje organeve të drejtësisë që të hapin dosjet e vjetra të politikanëve dhe drejtësia të shkojë deri në fund.

“Do të vijë koha e përgjegjësisë për të gjithë, do të ndahet shapi nga sheqeri. Askush nuk ia hedh dot, sepse në fund të gjykon sovrani, që i ka sytë në ballë. Për ne është e qartë, do vazhdojmë të qeverisim për të bërë të mira për këtë vend. Ashtu si dhe pastrimi i Shqipërisë është i domosdoshëm dhe duhet bërë. Këtë mundësi nuk na e hiqni dot ju. Të jeni të bindur, se pavarësisht sa komisione hetimore ngrihen, ne do të presim me shumë urtësi e mençuri, derisa i fundit të marrë atë që meriton. I bëjmë thirrje SPAK, prokurorisë, gjykatave, të shohin mirë ato dosje që janë aty, t’iu heqin pluhurin. E mbani mend besoj komisionin e CEZ, etj. T’i hapë drejtësia të gjitha, deri në fund. Ky është synimi ynë, drejtësia për të gjithë”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos