Anglia ka nisur përgatitjet për ndeshjen gjysmëfinale kundër Holandës me lojtarët që të dielën e kanë kaluar si një ditë rikuperimi dhe çlodhjeje.
Jude Bellingham, Bukayo Saka dhe Phil Foden notuan në pishinë, ndërsa lojtarët që e nisën nga pankina shkuan për një xhiro me biçikletë si dhe një stërvitje të lehtë në palestër. Skuadra e Gareth Southgate e di mirë se përballë Holandës nuk do të jetë aspak e thjeshtë.
Hera e fundit që këto dy kombëtare janë përballur së bashku ishte në vitin 2019, në një ndeshje të Nations League aty ku Holanda, arriti të fitojë me përmbysje me rezultatin 3-1. Megjithatë këtë herë historia mund të jetë ndryshe.
Në 90 minuta vendoset gjithçka për një biletë në finalen e Berlinit në 14 korrik. Lajmi i mirë është se të dy ekipet i kanë të gjithë lojtarët në dispozicion dhe do të luajnë me formacionin më të mirë.
Takimi Holandë -Angli do të luhet këtë të mërkurë në orën 21:00. (A2 Televizion)