Arsenali mori një biletë për në çerekfinale, pasi mundi me penallti Porton. Goli Trossard, me një diagonale në minutën e '41 rihapi llogaritë pas fitores minamale të portugezëve në takimin e parë.
Takimi ishte shumë i luftuar me të dyja ekipet që provuan disa herë portën, por fituesi nuk u vendos as për 120 minuta lojë.
Tek 11-metërshat heroi i sfidës ishte padyshim gardiani i “Topçinjve”, Raja, që tregoi më së miri reflekset e tij duke pritur dy penallti ndërsa tek anglezët askush nga nuk gaboi. Kaq mjaftoi që Arsenali të merrte një biletë mes tetë më të mirëve në Champions, për herë të parë nga viti 2010.
“Kanë kaluar 14 vite nga hera e fundit që jemi kualifikuar në çerekfinale, një kohë e gjatë për një klub si Arsenali. Trasmetuam një energji të pabesueshme në stadium. Ia dolëm të gjithë së bashku. Penalltitë pastaj dihet, janë lotari. Ishim përgatitur një ditë më parë për goditjet e penalltive. Trajnerët e portierëve kanë merita, si të gjithë të tjerët. Duhet ta pranoj se është e vështirë të përballesh me Porton, një skuadër konkurruese, e mirë dhe e fortë. Patëm shumë momente gjatë ndeshjes ku nuk mundëm të kontrollonim lojën, kjo edhe për meritë të tyre. Shënuam në një moment të rëndësishëm, u përpoqëm të krijonim rastet tona dhe në fund ia dolëm të kualifikoheshim”, tha pas ndeshjes trajneri i skuadrës angleze, Mikel Arteta.
Ndërsa trajneri i Portos, Sergio Conceciao, akuzoi kolegun se i kishte ofenduar familjen. “Nuk mërzitem për rezultatin pasi dhamë gjithçka në fushë ndërsa penalltitë janë lotari, ndonjëherë duhet dhe pak fat! Ajo që më mërzit më shumë është sjellja e trajnerit Arteta. Ai më ofendoi në spanjisht nga bankina ndërsa unë iu drejtova se personi që Arteta kishte sharë nuk jetonte më . Mendoj se është më mirë të fokusohet tek skuadra e tij dhe ajo çfarë ekipi jep në fushë sesa tek familjarët e mi. Penalltitë janë fat! Skuadra ime e meritonte të kualifikohej”, tha ai. (A2 Televizion)