CR7 largohet nga Portugalia, “do të tregoj të vërtetën”

Nga Dea Kozma
1 Tetor 2026, 11:41 | Futboll

Një situatë e papritur ka tronditur Kombëtaren e Portugalisë. Cristiano Ronaldo ka braktisur grumbullimin e skuadrës në Kopenhagë, vetëm një ditë para përballjes me Danimarkën në Ligën e Kombeve.

Vendimi i kapitenit portugez erdhi pas konferencës së trajnerit Jorge Jesus dhe një bisede me presidentin e Federatës Portugeze, Pedro Proença. Ronaldo, përmes një reagimi në rrjetet sociale, konfirmoi vetë largimin dhe paralajmëroi se do të flasë më vonë për arsyet.

“Pas konferencës për shtyp të trajnerit të Kombëtares dhe pas një bisede me presidentin e Federatës Portugeze të Futbollit, vendosa të largohem nga grumbullimi i Kombëtares. Në kohën e duhur do t'u tregoj të gjithë portugezëve të vërtetën për arsyet që më çuan drejt këtij vendimi. Tani është koha t’i uroj fat Portugalise dhe të gjithë shokëve të skuadrës, pa përjashtim”, shkroi Ronaldo.

Tensionet mes CR7 dhe Jorge Jesus u shtuan pas ndeshjes me Norvegjinë, ku Ronaldo qëndroi në stol gjatë gjithë takimit. Trajneri më pas bëri të ditur se sulmuesi nuk do të ishte titullar as ndaj Danimarkës.

Megjithatë, Ronaldo nuk ka deklaruar se po tërhiqet përfundimisht nga Kombëtarja e Portugalisë. Federata konfirmoi largimin e tij nga grumbullimi, ndërsa skuadra do të vijojë përgatitjet me 24 lojtarët e tjerë.

Mbetet për t’u parë nëse kjo është vetëm një largim i përkohshëm apo një kthesë në karrierën ndërkombëtare të 41-vjeçarit, i cili mban rekordet e Portugalisë me 234 paraqitje dhe 146 gola. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos