Me sytë nga Euro 2028, Shqipëria e para në grup sipas “Football Meets Data”

Nga Dea Kozma
1 Tetor 2026, 11:40 | Futboll

Shqipëria nuk po lufton vetëm për vendin e parë në grupin e Ligës së Kombeve. Kuqezinjtë kanë tashmë edhe një motiv të madh për të kërkuar kreun: dy bonuse të rëndësishme në rrugën drejt Europianit 2028.

Pas rezultateve të fundit, Shqipëria është ngjitur e vetme në krye të grupit, me dy pikë avantazh ndaj Finlandës. Dhe sipas simulimeve të “Football Meets Data”, shanset e skuadrës së Rolando Maran për ta fituar grupin janë rritur ndjeshëm, nga 62.6 në 72.4 për qind, shkruan A2 CNN. Ndërkohë, mundësia për t’u ngjitur në Ligën B, qoftë direkt apo përmes “play-off”-it, ka shkuar në 82.9 për qind.

Por ajo që e bën edhe më të rëndësishëm vendin e parë janë dy avantazhet për EURO 2028. Së pari, fituesi i grupit garanton minimalisht një vend në “play-off”-in e Europianit. 

Dhe së dyti, Shqipëria do të sigurojë vendosjen në vazon e tretë në shortin e kualifikueseve, ndërsa vendi i dytë do ta zbriste në vazon e katërt.

Pra, dueli me Finlandën nuk është thjesht një ndeshje për kreun e grupit. Për kuqezinjtë, tashmë në lojë është edhe një pozicion më i favorshëm në rrugën drejt Europianit 2028. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos