Derbi i Madoninës rimerr skenën. Pas triumfit në finalen e Superkupës në fillim të janarit, Milani do të ndeshet sërish me Interin, me synimin t’i largojë zikaltërit nga gara për titullin në Serie A.
Në përballjen e së dielës, në orën 18:00, Djalli mund t’i japë një goditje të fortë ambicieve të zikaltërve për kurorën e kampionit, duke i dhënë një asist Napolit. Çështja e titullit në Itali është kthyer në një garë dyshe, me skuadrën e Antonio Contes që kryeson, e favorizuar edhe nga fakti që nuk janë të angazhuar në kupat e Europës.
Interi në anën tjetër kërkon të evitojë hapa fals në duelin me rivalët e përjetshëm të qytetit, sepse kjo do të komplikonte luftën për mbrojtjen e titullit. Kuqezinjtë e drejtuar nga Sergio Conçeiçao janë në vendin e shtatë me 34 pikë, zikaltërit e vendit të dytë kanë 50 pikë, 3 më pak se Napoli kryesues, teksa kanë edhe një ndeshje për të rikuperuar.
Milani favorizohet nga historia e javëve të fundit, pasi e kanë mposhtur Interin dy herë në këtë edicion. Në shtator ata fituan 1-2 në kampionat me zikaltërit si ekip pritës, ndërsa së fundmi realizuan një përmbysje të jashtëzakonshme nga 0-2 në 3-2 duke rrëmbyer trofeun e Superkupës së Italisë.
Triumfi i tretë sezonal do të bënte që për herë të parë prej vitit 2011, Milani të siguronte tre fitore me radhë përballë kundërshtarëve të mëdhenj. Conçeiçao në anën tjetër, që si lojtar regjistron 41 ndeshje në Serie A me Interin nga viti 2001 deri më 2003, mund të bëhet trajneri i dytë i Milanit në 35 vitet e fundit, që fiton dy ndeshjet e para derbi.
Diçka të tillë e ka realizuar vetëm Allegri mes viteve 2010 dhe 2011. (A2 Televizion)