Në një video që po qarkullon në rrjet, shihet se pas ndeshjes me Anglinë në Wembley, anëtarë të grupimit “Tifozat KuqeZi”, të cilët akuzojnë FSHF se i ka lënë pa bileta për sfidën me Andorrën në “Arenën Kombëtare”, i janë ankuar kapitenit të kombëtares, Berat Gjimshiti për situatën e krijuar.
Ultrasit, të cilët prej 21 vitesh i kanë qëndruar përkrah Kombëtares, dëgjohet t’i kërkojnë Gjimshitit që të ndërhyjë për të ndryshuar vendimin e Federatës Shqiptare të Futbollit.
Gjimshiti i pyet nëse kjo ka ndodhur vetëm për ndeshjet në transfertë apo edhe ato në Tiranë, ndërsa tifozët i kthehen duke thënë se nga sfida me Anglinë nuk kanë më mundësi të prenotojnë më biletat për grupin TKZ.
Pas kësaj, kapiteni kuqezi u premton tifozëve se do të flasë me Federatën. Kujtojmë se “Tifozat KuqeZi” pretendojnë se federata nuk iu rezervon më bileta, sepse ata kanë dalë publikisht kundër zhvillimit të Evropianit U-21 me Serbinë. (A2 Televizion)