Në orën 20:45 të mbrëmjes, Kombëtarja shqiptare e futbollit do të nisë rrugëtimin e saj drejt ëndrrës “Botëror”, duke u përballur në mitikun “Wembley” me Anglinë.
Edhe pse me mungesa të rëndësishme në mbrojtje, si Elseid Hysaj e Mario Mitaj, tekniku Sylvinho ka shprehur besimin se djemtë e tij mund t’ia dalin të rrëmbejnë një rezultat pozitiv përballë “Tre Luanëve” të Tuchel.
Teksa dilemat për formacionin e ndeshjes së parë qëndrojnë ende, sidomos për mbrojtjen dhe sulmin, FSHF ka zbuluar përmes një postimi në Instagram se sot djemtë tanë do të zbresin në fushë me fanellat me ngjyrë të zezë.
FSHF / England - Albania , Wembley 21 march 2025 pic.twitter.com/OAZ80kOr44
— News video (@Newsvideo13) March 21, 2025
Zgjedhja për uniformën e tretë vjen si rrjedhojë e faktit se Anglia si vendase luan me fanellën e bardhë në shtëpi. Meqë Shqipëria uniformën e dytë e ka po të bardhë, atëherë djemtë e kombëtares do të duhet të luajnë me ngjyrën e zezë.
Duhet theksuar se fanella e zezë ka qenë fatsjellëse për Shqipërinë. Me të veshur në Jerevan, kuqezinjtë e De Biasit siguruan kualifikimin për të parin Europian në histori, duke mposhtur 1-3 Armeninë, ndërsa paraqitje të mira patën edhe në Euro 2024, ku barazuan 1-1 me Kroacinë. (A2 Televizion)