Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, në një lidhje direkte me studion e “Dita Jonë” në A2 CNN, foli edhe për turin nëpër Europë të trajnerit të Kombëtares, Sylvinho, i cili po ndjek nga afër futbollistë që mund t’i grumbullojë për kualifikueset e Botërorit.
“Politika jonë është që të afrojmë çdo futbollist të mundshëm, madje kjo politikë bie ndesh edhe me Federatën e Futbollit të Kosovës, por ne i kemi dyert e hapura për çdo shqiptar, pavarësisht se ku jeton. Mundohemi të shkojmë drejt atyre që kanë më shumë cilësi apo që mund ta ndihmojnë më shumë ekipin kombëtar. Ka shumë që vetofrohen në mosha të ndryshme, por ka dhe pak nga ata që ne kërkojmë t’i bindim të jenë pjesë e Kombëtares. Një nga ata është edhe Gruda, i cili ka luajtur me moshat e Gjermanisë. Deri në këto momente nuk ka qasje pozitive. Jemi të interesuar edhe për Vatën, Hasën, Ibrahimoviçin… Për të mos e zgjatur, nuk kemi qenë të suksesshëm me këto emra që përmenda. I kemi kontaktuar duke nisur nga unë personalisht, por pa sukses”, tha Duka.
Sipas tij, “është edhe një talent shumë i madh, Ylli Gashi, që luan me Bayern Munchen”.
“Prindërve të tij u kam thënë që nëse nuk zgjedhin Shqipërinë, të paktën të zgjedhin Kosovën, në mënyrë që djali i tyre të gëzojë shqip dhe të shajë shqip”, u shpreh Duka.
(A2 Televizion)