Kreu i Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF), Armand Duka, në një lidhje direkte me “Dita Jonë” në A2 CNN, u shpreh se “futbolli dhe i gjithë sporti në Shqipëri ka nevojë për mbështetje financiare” dhe për këtë arsye ai zbuloi se i ka thënë kryeministrit Edi Rama se “sa herë që ta ketë përballë, do t’i kërkojë kontributin e tij për ligjin e sponsorizimit”.
“I kam thënë kryeministrit që sa herë të më ketë përballë, do t’i kërkoj kontributin e tij për ligjin e sponsorizimit. Këtë radhë, në ceremoninë e Topit të Artë, nuk e mbajta fjalën pasi doja të respektoja praninë e tij në sallë. Por, këtë gjë e kam bërë jashtë kamerave dhe vazhdoj të insistoj për këtë ligj. Futbolli dhe i gjithë sporti në Shqipëri ka nevojë për mbështetje financiare. Çdo politikan që mendon se sporti duhet të mbajë veten, e ka gabim. Mund të prodhojnë vetë 10 klube të rëndësishme, por si mund të prodhojë Erseka, Maliqi, Puka apo Tropoja? Pa dyshim që do mbështetje financiare dhe qeveria duhet të gjejë mënyrën”, tha Duka.
“Ajo që ne kemi propozuar është eksperienca e vendeve të tjera sepse ne nuk shpikim gjë. Kemi propozuar atë që bëjnë qoftë shqiptarët në Kosovë dhe me këtë lloj politike të Kosovës për sportin, ata do na e kalojnë, madje në nivel klubesh na ka kaluar. E vetmja gjë që ka më shumë Kosova është ligji i sponsorizimit. Kushdo që flet kundër këtij ligji nuk do sportin dhe nuk do që sporti të ketë pavarësi. Duan ta mbajnë sportin peng, por dikur do të bëhet. Dje kryeministrit i thashë që ta bënte para zgjedhjeve”, shtoi Duka. (A2 Televizion)