Shqiptarët janë të çmendur pas futbollit italian. Milan, Inter apo Juventus kanë mijëra tifozë në vendin tonë që ndjekin çdo javë takimet në Serinë A dhe mbështestin skuadrën e zemrës.
“Inter Club Albania” është një nga “Fan Club”-et më të mëdhenj në Shqipëri, me më shumë se 3300 anëtarë që bëhen bashkë për të ndjekur ekipin e zemrës në çdo ndeshje. 14 vite “Inter Club Albania”, themeluar në vitin 2011 nga Juxhin Rama, që në atë kohë ishte vetëm 21 vjeç. Ai besoi se mund të bënte bashkë të gjthë tifozët interistë kudo ku janë, në Shqipëri dhe në çdo trojë shqiptare, dhe sot që flasim qëllimi është arritur: “Inter Club Albania” është tifogrupi më i madh që Inter ka zyrtarisht në botë.
Një nga transfertat e bukura për “Inter Club Albania” ka qenë finalja e Stambollit, ku kanë qenë prezentë më shumë se 500 anëtarë. Pavarësisht rezultatit, të gjthë interistët e kujtojnë atë ndeshje me shumë emocione.
Çdo sezon, “Inter Club Albania” organizon 7 apo 8 udhëtime ndërsa te dy ndeshjet më të rëndësishme të sezonit, ndaj Milanit apo Juventusit, janë prezentë më shumë se 400 anëtarë. Puna e gjithë këtyre viteve u kurorëzua dhe me një murale në Tiranë, e cila është financuar 100% nga anëtarët e “Inter Club Albania”.
Emocionet që të fal një ndeshje futbolli, kur në fushë zbret skuadra jote e zemrës, janë të papërshkrueshme. Fanella bëhet lëkura jote e dytë dhe në 90 minuta transformohesh në një tjetër njeri. Disa madje thonë, në jetë mund të ndërrosh çdo gjë, por vetëm skuadrën e zemrës jo! Për atë ke qeshur, ke qarë, nuk ke fjetur për netë të tëra dhe sërish nuk ke hequr dorë. Futbolli nuk është vetëm një lojë, por më shumë se kaq.
“Inter Club Albania” ka dhe shumë anëtare vajza, të cilat ndjejnë po njësoj dashurinë për ngjyrat zikaltër. Bëjnë qindra mijëra kilometra, duke sakrifikuar çdo gjë tjetër, që të jenë pranë skuadrës në shumë ndeshje. (A2 Televizion)