Kategoria Superiore/ Egnatia bën gati "arratisjen"

Nga Dea Kozma
30 Janar 2025, 13:55 | Futboll

Kategoria Superiore/ Egnatia bën gati "arratisjen"

Java e 23 e Kategorisë Superiore rezervon takime interesante. Ndeshjet do të luhen në dy ditë, të premten dhe të shtunën.

Gjithçka nis me kampionët në fuqi të Egnatias, që presin në shtëpi Bylisin. Ekipi i Edlir Tetovës ka rimarrë kreun e Superligës me vetëm një pikë më shumë se Partizani e Dinamo dhe dy larg Vllaznisë. Kampionët vijnë pas 5 fitoreve radhazi në të dy kompeticionet dhe për më tepër pa pësuar asnjë gol. Pavarsisht diferencave të dy skuadrave, trajneri Tetova nuk ka nënvlerësuar aspak një kundërshtar si Bylis, përkundrazi tregoi se djemtë janë përgatitur intensivisht për ti marrë maksimumin sfidës. 

Vllaznia udhëton në Durrës për takimin e radhës. Trajneri Tomas Brdariç do duhet të bëjë llogaritë pa tre lojtarë titullarë si Kliti Qato dhe Kristi Qarri janë të dëmtuar ndërsa Melos Bajrami është i pezulluar. Nga ana tjetër te Teuta, rikthehet pas tre muajsh Emiliano Vila, ndërsa Erando Karabeci do të mungojë për shkak të kartonave. 

“Çdo ndeshje është e fortë dhe jemi të vetëdijshëm për këtë, Teuta ndërroi trajnerin, Devolli është me eksperiencë, kanë lojtarë të shpejtë dhe interesantë, na duhet një strukturë më e mirë. Të gjithë lojtarëve do t’ju vijë radha për të luajtur. Jam i lumtur që Krymi është kthyer, Gruda tregoi që është shumë i rrezikshëm, kemi lojtarë me cilësi. Po shkojmë në drejtim të duhur, por duhet të rrimë me këmbë në tokë, të jemi sa më të kujdesshëm. Duam 3 pikët, tha Brdariç.

Tre takimet e tjera do të luhen të shtunën, ku spikat ndeshja Tirana -Elbasani, sfida që do të luhet në “Niko Dovana” në Durrës. Ndërkohë, Partizani udhëton në Laç ndërsa Dinamo pret Skënderbeun në Elbasan. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos