Mesfushori Veldin Hoxha është lojtari më i ri që i bashkohet Kombëtares së Kosovës. Pas një periudhe me paraqitje të shkëlqyera dhe progres të vazhdueshëm në karrierën e tij, Hoxha ka vendosur të përfaqësojë Kosovën në arenën ndërkombëtare.
Ai do të jetë në dispozicion të Franko Fodës për ndeshjet kualifikuese të Kampionatit Botëror 2026.
Veldin Hoxha aktualisht është pjesë e klubit rus Rubin Kazan, ndërkohë që më parë ka qenë pjesë e përfaqësueses U21 të Kroacisë.
22-vjeçari është rritur në Kroaci dhe ka kaluar të gjitha grupmoshat te klubi Rijeka. Në shtator të vitit 2024 ai u transferua te Rubin Kazan për një shumë prej dy milionë eurosh. Deri tani këtë sezon, Hoxha ka luajtur 36 ndeshje në të gjitha kompeticionet, duke realizuar katër gola.
Sakaq, Federata e Futbollit e Kosovës i ka uruar mirëseardhje në familjen dardane talentit të ri, duke shkruar në një postim se “i dëshiron shumë suksese me fanellën e Kosovës”. Hoxha po ashtu ka marrë besimin e presidentit të Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi. (A2 Televizion)