“Nuk do jetë ndeshje e thjeshtë”, Kombëtarja mbyll stërvitjen para duelit me San Marinon

Nga A2 CNN
28 Shtator 2026, 23:54 | Futboll

Shqipëria zbret në fushë me një objektiv të qartë: fitoren ndaj San Marinos. Përballë kuqezinjve është skuadra që renditet në fundin e klasifikimit të FIFA-s, por pavarësisht diferencave në letër, në kampin shqiptar nuk ka vend për nënvlerësim.

Trajneri Rolando Maran dhe kapiteni Berat Gjimshiti e bënë të qartë se San Marino duhet respektuar, ndërsa fokusi mbetet te objektivi i Shqipërisë për të mbyllur grupin në vendin e parë. Për këtë arsye, tri pikët janë të domosdoshme.

“Shqipëria duhet të bëjë një ndeshje serioze, me përqendrim maksimal. Janë ndeshje që të ndihmojnë për të ndërtuar mentalitetin e skuadrës. Duhet durim i veçantë. Në këtë mënyrë di dhe çfarë duhet të bësh. Duhet shumë respekt për San Marion, do marrim masat e duhura për çdo situatë që do të krijohej”, tha trajneri, shkruan A2.

Në konferencën për shtyp, Maran u pyet edhe për formacionin që do të hedhë në fushë. Tekniku italian zbuloi se e ka një 11-tshe në mendje, por ende nuk ka marrë vendimin përfundimtar: “Mund të ketë ndryshim, por jo të fizionomisë të skuadrës. E rëndësishme që ne të rritemi në vlerë, jam i bindur që kushdo të luajë do jetë i motivuar për të bërë më të mirën. 28 lojtarët e grumbulluar kanë impenjimin maksimal. Mund të ketë ndonjë ndryshim, pasi e favorizojnë kushtet, por jo në fizionominë e skuadrës”.

Nga Ana tjetër, kapiteni Berat Gjimshiti nuk e quajti aspak të lehtë duelin me San Marinon: “Nuk është e thjeshtë. Përqëndrimi duhet të jetë në çdo ndeshje 100%. Dhe më shumë në këto ndeshje ku pritet që Kombëtarja jonë të ketë kontrollin e lojës. Shumica besojnë se do jetë ndeshje e thjesht, por nuk do jetë ashtu aspak. Varet nga ne, a e bëjmë të thjesht apo jo.Ishin humbje të shumta, jo periudhë të mirë. U kthyem në këto lojëra që janë shumë të rëndësishme. Liga e Kombeve që na jep opsion për Europianin. Hapi i parë ishte ky te ndeshja e fundit, që zhvilluam një ndeshje të mirë dhe fituam me meritë”.

Dueli San Marino-Shqipëri do të luhet të marten, prej orës 20:45. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos