Ngjarja në Beograd ka lënë shenjë jo vetëm te tifozët kuqezi por mbi të gjitha te lojtarët që ishin në fushë. Një nga protagonistët e asaj sfide historike Serbi-Shqipëri ishte Bekim Balaj.
Futbollisti që u përplas fizikisht dhe me lojtarët dhe tifozët serb vetëm për të mbrojtur flamurin me hartën e Shqipërisë etnike dhe me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit. Futbollisti shkodran ndau emocionet dhe përjetimet e asaj mbrëmjeje të paharrueshme.
“Normalisht është një ndeshje që gdhendet dhe mbetet në memorien e të gjithëve. Për rrethanat që ishin edhe në atë ndeshje, djemtë bënë të gjithë maksimumin. Edhe pse të paktë në numër që ishim nuk na mungoi asgjë për të ruajtur simbolet tona. Tani jemi në një situatë ndryshe, kjo ndeshje është madhore për objektivat që kemi ne sepse Serbinë e shoh si kundërshtarin direkt për kualifikimin në Botëror”, tha Bekim Balaj.
Ai theksoi se përballja e radhës ka një tjetër peshë dhe rëndësi, ndërsa u bëri thirrje lojtarëve të tregohen të përmbajtur dhe të fokusuar për të arritur objektivin madhor: kualifikimin në Botëror.
“Një ëndërr për të gjithë shqiptarët, që besoj se ky grup ka forcën që ta bëjë realitet. Dhe nisu nga kjo ndeshje në Tiranë, mendoj se djemtë duhet të ruajnë qetësinë, të jenë gjakftohtë dhe ndoshta të mos i marri shumë ajo atmosfera në shkallët e stadiumit. Pasi ngarkesa emocionale është e madhe për një ndeshje të tillë, shpresoj të jenë gjakftohtë dhe të arrijmë të dalim me një fitore që do na vlente shumë.”
Fitorja është e vetmja rrugë e Shqipërisë për të prekur ëndrrën e botërorit. Kuqezinjtë fillimisht duhet të mundin Serbinë që të mbajnë gjallë shpresat e vendit të dytë në grup. (A2 Televizion)