Kombëtarja serbe mbërrin në Tiranë, masa të rrepta sigurie. Ndryshon hoteli, bllokohen rrugë shtesë

Nga A2 CNN
6 Qershor 2025, 14:23 | Futboll

Kombëtarja e Serbisë ka mbërritur në Tiranë, ku do të luajë të shtunën në mbrëmje ndeshjen kualifikuese të Kupës së Botës, kundër Shqipërisë në Arenën Kombëtare.

Që nga mbërritja e tyre në Rinas e deri në akomodimin në hotel, ata janë shoqëruar nga Policia e Shtetit për të garantuar të gjitha masat e sigurisë. Edhe pse fillimisht ishte raportuar se përfaqësuesja e Serbisë do të qëndronte në afërsi të stadiumit ku do të luhet ndeshja, ata kanë ndryshuar hotelin dhe janë vendosur në një hotel tjetër në Tiranë, çka ka bërë që edhe autoritetet të marrin masa me bllokimin e disa akseve rrugore shtesë.

Kombëtarja serbe mbërrin në Tiranë, masa të rrepta

Policia e Shtetit informon se: “Rruga nga hoteli ku është akomoduar ekipi i futbollit të Serbisë që ndodhet në bulevardin “Gjergj Fishta”, deri në drejtim të stadiumit “Arena Kombëtare”, përmes bulevardit “Bajram Curri”, pasditen e sotme në orën 16:30 dhe ditën e  nesërme në orën 18:45, do të ketë kufizime të pjesshme deri në 25 minuta në momentin që do eskortohet ekipi për në stadium për stërvitje pasditen e sotme dhe nesër për të zhvilluar ndeshjen”.

“Policia e Shtetit është angazhuar maksimalisht që i gjithë aktiviteti të përfundojë me sukses për sa i përket masave të sigurisë, dhe në këtë kuadër me qëllim shmangien e incidenteve, apelojmë për mirëkuptim nga ana e qytetarëve, si dhe respektim të udhëzimeve të strukturave të policisë  në terren”, njofton Policia. Sipas Policisë “çdo sjellje apo veprim që cenon rendin dhe sigurinë publike do të trajtohet në përputhje me ligjin dhe me tolerancë zero”.

Ndeshja e shumëpritur do të luhet të shtunën në orën 20:45. Shqipëria momentalisht mban vendin e dytë në grup, me 3 pikë, pasi u mund 2-0 nga Anglia më 21 mars, ndërsa fitoi 3-0 kundër Andorrës 3 ditë më pas. Ndërsa Serbia nuk ka zhvilluar ansjë ndeshje. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos