Një ëndërr e bërë realitet. Fitorja 5-0 ndaj Interit në finalen e Champions League, do të mbahet mend gjatë nga Paris Saint Germain që ndoshta as në ëndrrën më të bukur nuk e kishte menduar një sukses të tillë.
Trajneri Luis Enrike arrin të bëjë për vetë trofeun më të rëndësishëm kontinental 10 vite më vonë pasi e fitoi me Barcelonën. Pas fitores ndaj Interit, spanjolli veshi një fanellë të veçantë me dedikim për vajzën e tij Xana, që u nda nga jeta në moshën 9-vjeçare në vitin 2019 për shkak të një forme shumë agresive të kancerit të kockave.
Edhe tifozët e Parisit e kujtuan vajzën e trajnerit me një koreografi speciale. Në vitin 2015, pas triumfit me Barcelonën, ajo kishte zbritur në fushë për të festuar me babanë e saj, me një flamur të madh blaugrana në duar dhe këtë skenë tifozët e kishin shpalosur në një pankartë gjigande që rikrijonte atë skenë të paharrueshme.
“Vajza ime është me mua që nga momenti kur iku. U largua fizikisht, por është gjithmonë me mua. Nuk kam nevojë për një fitore në Champions për ta kujtuar. Në jetë lindim, vdesim dhe gjithçka tjetër shihet rrugës. Dua ta kujtoj me shpirt ! Jam shumë i lumtur për skuadrën time. Ata luajtën si një skuadër dhe shpërblyen punën dhe mundin e një sezoni të terë.. Merita e këtij suksesi. është tërësisht e tyre'', tha Enrique.
Paris Saint Germain e mbylli në mënyrën më të mirë këtë sezon. Edhe pse prej vitesh, kishin derdhur miliarda euro, me Messin, Nejmar apo Mbappe, vetëm këtë sezon kur askush nuk besonte , ngriti lart për herë të parë në histori trofeun më të rëndësishëm për klube, Uefa Champions League. (A2 Televizion)