Portugali-Francë është finalja e madhe e Kampionatit Europian U-17, që do të luhet më 1 qershor, në “Arenën Kombëtare”.
Portugalia mundi Italinë në gjysmëfinale pas goditjeve të penalltive, teksa koha e rregullt dhe shtesat përfunduan me rezultatin e barabartë 2-2, shkruan A2.
Të kaltrit e nisën mirë ndeshjen dhe kaluan në avantazh në minutën e 20 me Samuele Inacio. Mirëpo festa nuk zgjati shumë. Portugalia barazoi pas tetë minutash me Stevan Manuel dhe pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-1.
Edhe fraksioni i dytë kishte po të njëjtën histori. Italia rimori avantazhin me Alessio Baralla, ndërsa Portugalia iu kundërpërgjigj me Tomas Soares në minutën e 67. Pavarësisht rasteve të shumta, koha e rregullt përfundoi në barazim 2-2 dhe ndeshja u vendos nga penalltitë, aty ku portugezët ishin më të saktë.
Portieri i Portugalisë ishte vendimtar me pritjet e tij dhe kaq mjaftoi për t’i dhuruar Portugalisë kualifikimin në finalen e madhe ndaj Francës, që më herët mundi 3-2 Belgjikën në stadiumin “Elbasan Arena”.
Finalja Portugali-Francë do të luhet të dielën e 1 qershorit në orën 20:30, në stadiumin Arena Kombëtare. (A2 Televizion)