Paris SG futet në histori, shkatërron Interin dhe ngre trofeun e Champions League për herë të parë

Nga A2 CNN
31 Maj 2025, 22:50 | Futboll

Në 4 herët e kaluara që finalja e Champions League ishte luajtur në Mynih, kishte fituar një skuadër për herë të parë (Nottingham Forest më 1979, Marseille 1993, Borussia Dortmund 1997, Chelsea 2012). Kështu ndodhi edhe këtë të shtunë, më 31 maj 2025, kur Paris SG u kurorëzua në fronin e Europës për herë të parë në historinë e vet, pasi shkatërroi 5-0 Interin në finalen e luajtur në “Allianz Arena”.

Desire Doue protagonist absolut me 2 gola, ndërsa ish-zikaltri Hakimi hapi serinë e golave që në të 12’. Goditjen përfundimtare italianëve ja dha gjeorgjiani Khvicha Kvaratskhelia, ish-Napoli, i cili pas një kundërsulmi të shpejtë mposhti Sommer për herë të katërt, shkruan A2 CNN. 5 minuta nga fundi i kohës së rregullt, zëvendësuesi Senny Mayulu realizoi golin e pestë, për t’i dhënë “shuplakën” Interit.

Kristjan Asllani u bë lojtari i parë i Kombëtares së Shqipërisë që luan në një finale të Champions League, një statistikë që nuk mund ta ngushëllojë assesi pas humbjes.

PSG e dominoi totalisht takimin që nga fillimi, duke mos i lënë asnjë hapësirë Interit të rrezikonte. Francezët e drejtuar nga Luis Enrique ngrenë kështu trofeun më të rëndësishëm kontinental për herë të parë në historinë e tyre dhe kurorëzojnë një sezon fantastik, me 4 trofe të fituar, pas Superkupës së Francës, Kupës së Francës dhe titullit kampion. Champions i dytë për Luis Enrique-n, pasi spanjolli e ka fituar trofeun edhe me Barcelonën, dhjetë vjet më parë.

Ndërsa zikaltrit mbyllin sezonin pa asnjë trofe, edhe pse e kishin nisur me objektiv tripletën.  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos