Real mposht Cityn me përmbysje emocionuese. Fitojnë edhe Juventus, PSG dhe Dortmund

Nga Erald Kodhelaj
12 Shkurt 2025, 13:24 | Futboll

Real mposht Cityn me përmbysje emocionuese. Fitojnë edhe Juventus, PSG

Ndeshjet e para play-off të Champions League i dhuruan Realit të Madridit fitoren 3-2 me përmbysje përballë Manchester City. Sfida më e madhe e kësaj faze e luajtur në “Etihad” nuk i zhgënjeu pritshmëritë, me emocione deri në sekondën e fundit.

Erling Haaland bëri që Guardiola të ëndërronte. Ylli i sulmit zhbllokoi ndeshjen në të 19-ën, pas vertikalizimit perfekt të Grealish dhe asistit të Gvardiol.

Reali që dominoi ndeshjen duke krijuar raste të panumërta, riktheu barazpeshën me Mbappe që në të 60-ën mposhti Ederson, pas devijimit me fat nga zhvillimet e një goditje të lirë.

Manchester City u kthye sërish në avantazh me penalltinë e Haaland në minutën e 77-të, por spanjollët nuk u dorëzuan. Brahim Diaz, i aktivizuar nga stoli, barazoi përsëri shifrat, ndërsa në të 92-ën, Bellingham u kthye në heroin e madrilenëve me golin e suksesit. Reali e sheh veten në avantazh 3-2 përpara sfidës së kthimit në Bernabeu.

Vuajti më tepër nga sa parashikohej Juventusi, që fitoi 2-1 ndaj PSV Eindhoven. McKennie në pjesën e parë dhe Mbangula 8 minuta përpara fundit i dhanë suksesin bardhezinjve. Për holandezët rrjeta e barazimit të përkohshëm 1-1 u realizua nga Perisic. Pas tetë ditëve, bardhezinjve u mjafton mos të humbasin në trasfertë që të kualifikohen.

Në ndeshjet e tjera, Borussia Dotmund dhe Paris Saint Germain hipotekuan biletën në 1/8 pas fitoreve 3-0 në trasfertë ndaj Sportingut të Lisbonës dhe Brest. Guirassy, Gross e Adeyemi shënuan golat e triumfit të gjermanëve në Portugali. Ndërkohë, derbi francez u vendos nga dy rrjetat e Dembélé dhe penalltia e Vitinha. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos