Edhe 40 vjeç Cristiano Ronaldo bëhet sërish hero për Portugalinë, duke shënuar golin e tij të 137-të me fanellën e kombëtares dhe duke udhëhequr skuadrën drejt një fitoreje 2-1 kundër Gjermanisë në gjysmëfinalen e Ligës së Kombeve të UEFA-s. Me këtë sukses, Portugalia i dha fund një serie prej pesë humbjesh radhazi ndaj gjermanëve dhe siguroi vendin në finalen e madhe.
Ndeshja në Allianz Arena nisi me 10 minuta vonesë për shkak të një stuhie në Mynih. Të dy ekipet u shfaqën agresive që në fillim. Goretzka dhe Ronaldo provuan portierët kundërshtarë pa sukses, ndërsa Diogo Costa shkëlqeu me pritje vendimtare ndaj Woltemade dhe Goretzka.
Pjesa e parë përfundoi pa gola, por Gjermania zhbllokoi rezultatin në minutën e 48-të me një goditje me kokë të Florian Wirtz pas asistit të Kimmich. Megjithatë, Portugalia reagoi fuqishëm. Në minutën e 63-të, Francisco Conceição dribloi Gosens dhe goditi bukur në trekëndësh për të barazuar rezultatin.
Vetëm pesë minuta më vonë, Nuno Mendes shpërtheu në krah dhe shërbeu për Ronaldon, i cili nuk fali nga afër, duke vulosur përmbysjen 2-1.
Gjermania tentoi të rikthehej në lojë në minutat e fundit, por goditja e Adeyemit u ndal në shtyllë. Portugalia ruajti epërsinë dhe festoi kualifikimin në finalen e tretë të madhe nën drejtimin e trajnerit Roberto Martínez. (A2 Televizion)