Sfida kundër Serbisë, kuqezinjtë vijojnë përgatitjet, Manaj me grip dhe nuk stërvitet

Nga Dea Kozma
4 Qershor 2025, 14:43 | Futboll

Sfida kundër Serbisë, kuqezinjtë vijojnë përgatitjet,

Kombëtarja shqiptare e futbollit vijon përgatitjet intensive për dy ndeshjet e muajit qershor. Fillimisht më datën 7, kuqezinjtë luajnë me Serbinë në Arenën Kombëtare dhe tre ditë më vonë udhëtojnë në Letoni, dy sfida këto të vlefshme për kualifikueset e Botërorit.

Edhe këtë herë trajneri Silvinjo nuk ka qenë me grupin e plotë. Rei Manaj nuk është stërvitur me grupin, për shkak të një gjendje gripale. Stafi teknik vendosi të lë pushim lojtarin derisa gjendja e tij të stabilizohet.

Ndërkohë në anën tjetër, tashmë në dispozicion trajneri ka dhe  katër lojtarët  që munguan në seancën e të hënës. Myrto Uzuni, Arlind Ajeti, Jasir Asani dhe Ernest Muçi, i janë bashkuar skuadrës dhe janë venë menjëherë nën urdhrat e trajnerit brazilian. 

Të hënën përveç ushtrimeve, trajneri Silvinjo ka  bërë edhe një ndeshje të vogël kontrolli brenda grupit kuqezi, për të parë dhe gjendjen fizike të lojtarëve në këtë fund sezoni.

Tani e gjithë vëmendja është në ndeshjen me Serbinë, e programuar të luhet në 7 qershor në stadiumin Arena Kombëtare në kryeqytet. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos