Një sezon si protagonist. Paraqitje e madhe në fitoren e Espanyol përballë Real Madrid të yjeve Mbappe dhe Vinicius. Marash Kumbulla është kthyer në formën më të mirë në La Liga, pas dëmtimit të rëndë në gju. Mësimet e marra nga Jose Mourinho duket se i kanë shërbyer 24-vjeçarit.
“Çdo lëndim të ndryshon pak, aq më tepër kur bëhet fjalë për një dëmtim të rëndë. Ishte diçka që më shtyu të përmirësohem. Në fillim ishte e vështirë, psikologjikisht ishte shumë e ndërlikuar. Të gjithë duhet të punojnë në aspektin psikologjik, sidomos ne, për të përballuar të gjithë presionin e jashtëm që kemi. Erdha te Espanjoli pikërisht për të gjetur formën më të mirë dhe të bëhesha lojtar i rëndësishëm. Të ndihesha sërish futbollist. Kam punuar me një trajner si Murinjo, që flet në mënyrë të drejtpërdrejt, ballë për ballë dhe nuk ka frikë t’ju tregojë atë çfarë mendon. Nëse e dëgjon, piqesh dhe përmirësohesh”, u shpreh Kumbulla, shkruan A2.
Edhe pse ka lindur në Itali, Kumbulla nuk kishte dyshime për të përfaqësuar ngjyrat kuqezi në arenën ndërkombëtare: “Kam lindur në Itali, në Verona. Babait tim iu desh të largohej nga Shqipëria 25 apo 30 vjet më parë për një jetë më të mirë. Familja ime është shqiptare, prandaj luaj për Kombëtaren dhe është gjithmonë kënaqësi. Përpara se të vija në huazim te Espanjoli fola me Keidi Baren dhe me zv/trajnerin e Kombëtares, Zabaleta. Fëmijët e Pablos janë të tifozë të flaktë me Espanjolin dhe një prej tyre mendon se qendërmbrojtësi që i pëlqen më tepër në ekip jam unë”.
Në fund të sezonit, mbrojtësit i përfundon huazimi te Espanyol, teksa kartoni i tij zotërohet nga Roma. Gjithsesi, mbetet për t’u parë nëse italianët do e kthejnë në Serie A, apo spanjollët do këmbëngulin ta mbajnë në ekip. (A2 Televizion)