Trajneri Sylvinho ka publikuar këtë të hënë listën paraprake të futbollistëve me të cilët kombëtarja e Shqipërisë do të luajë dy ndeshjet miqësore, ndaj Lihtenshtejnit më 3 qershor dhe 4 ditë më pas ndaj Azerbajxhanit, ndërsa më pas do të dorëzohet në UEFA për Europianin Gjermani 2024.
Surpriza e madhe është mungesa e Cikalleshit, Uzunit, Bare, por edhe të Veselit. Ndërkohë, është ftuar për herë të parë Medon Berisha, Abrashi, Aliji, por edhe të portierit Simoni. Aktualisht, lista është me 27 futbollistë , një prej të cilëve do të mbetet jashtë Europianit.
“Jam shumë krenar që kemi ardhur në këtë moment. Trajneri dhe stafi ka një falënderim të veçantë për të gjithë ata që kanë dhënë këtë kontribut. Një mirënjohje dhe respekt për të gjithë. Zgjedhjet e stafit janë bazuar mbi një proces të gjatë studimi dhe analizash, por edhe duke pasur parasysh karakteristikat që ka ky kompeticion. Ne nuk luajmë thjeshtë për 3 milionë shqiptarë që jetojnë në Shqipëri, por mbi 10 milionë shqiptarë nëpër botë”, tha Sylvinho.
Pjesë nga bisedimi i Sylvinhos me gazetarët pas publikimit të listës
Në listë është një debutues, Medon Berishën, si dhe Amir Abrashi veteran. Çfarë mund të presim nga këta lojtarë dhe pse mungon Uzuni?
Nuk ka qenë zgjedhje e lehtë për mua dhe për të gjithë lojtarët. Pashë listën e Spanjës, të gjithë janë në vështirësi. Parapëlqej të flas për. Abrashi i vetmi që ka luajtur në Evropian në 2016 ma jep përvojën dhe grintën që karakterizon këtë skuadër. Kemi një vit që e ndjekim Medon Berishën, dhe pas një punë të shkëlqyer që po bën që nga U-21 kemi vendosur ta thërrasim. Berisha do ta japë përgjigjen e tij në fushën e lojës.
Pse jo Alen Sherri, Bare, Cikalleshi dhe Uzuni?
"Përgjigjen e kam dhënë, doja të merrja 35, por unë mund të marr vetëm 26 në fund, në këtë liste kemi 27. Dikush edhe e meriton, por kjo është jeta. Kemi studiuar lojtarët, karakteristikat e tyre dhe të kundërshtarëve dhe në bazë të këtij studimi kemi bërë këto zgjedhje. Mund të ketë 7-8 lojtarë të tjerë që e meritojnë, por mund të marrim vetëm 26. Do të kemi ndeshjet miqësore dhe mund të bëjmë ndonjë ndryshim.
Armando Broja, me gjithë kualitetin që ka, nuk ka luajtur fare. Kaq i madh është kualiteti i këtij lojtari sa për të lënë Uzunin jashtë?
"Lojtari që nuk është 100%, kemi vendosur të mos e marrim. Ky është kriter i padiskutueshëm. Broja është një lojtar që të gjithë e njohim, i shpejtë shumë i fortë në luftën një kundër një. Edhe Manaj po bën shumë mirë prej tetë muajsh. Nuk bëjmë zgjedhje të tilla, pra nëse nuk luan me klubin, nuk vjen me ne. Kriteri ynë është: nëse bën shumë mirë te ne, e marrim. Kemi Muçollin, që nuk e përmendet. Kemi biseduar me klubin e tij dhe nuk është në formë 100%".
Nga këta 27 lojtarë, një do të largohet, ka vetëm një duel mes Simonit dhe Kastratit për portën?
"Nëse një lojtar mund të dëmtohet pas datës 7 qershor mund të bësh vetëm një ndryshim. Deri atëherë (7 qershor) ne mund të bëjmë ndryshime.
Sa i përket Simonit, është lojtar i ri si Medon Berisha, ka bërë një rrugëtim shumë të bukur te moshat e Shqipërisë, më shatë qershor do të vendosim për ta".
Zgjedhjet në mbrojtje i keni bërë nga frika e kundërshtarëve? Pse nuk keni rinovuar kontratën?
"Sa i përket listës, mendoj se nuk hyn fare frika që kemi marrë shumë mbrojtës. Kemi parë kundërshtarët, të tre janë shumë të fortë. Kemi pesë lojtarë qendrore, por mund të luajnë tre. Ne besojmë shumë te Muçi, Bajrami, Seferi, mund të luajnë në disa role. Laçi është një tjetër që mund të bëjë disa role, ky është e ardhja e futbollit. Ne provojmë të bëjmë më të mirën për këtë skuadër për këtë vend. Sa i përket rinovimit, forca jonë, energjia jonë, është përqendruar te ky Evropian".
Sa i ndieni emocionet dhe sa të vështirë e keni për t’ua transmetuar lojtarëve?
"Sa u përket kualifikueseve është krejtësisht tjetër. Tani niveli është shumë i lartë, sa i përket presionit, ne nuk e kemi. Ne duhet të luajmë të përmirësohemi dhe të provojmë. Çdo ndeshje futbolli, është mrekulli, mund të ndodhë gjithçka. Në Katar, në Botëror nisi ndeshja e parë, pastaj gjithçka ishte tjetër.
E njohim forcën e kundërshtarëve, ata nuk luajnë për të avancuar, por për ta fituar Evropianin. Zemra, shpirti i skuadrës e heq gjithë presionin e futbollistëve tanë. Shpirti dhe zemra nuk duhen negociuar".
Duka tha se shqiptarët duan t’i bëjnë pushimet në Gjermani deri më 9 korrik.
"Ky është shpirti që kemi ne. Në futboll mund ët ndodhë gjithçka. Më kujtohet Evropiani 2016. Portugalia fitoi Evropianin, por gjatë fazës së grupeve barazuan në tri ndeshje. Ne duhet të buzëqeshim që shkojmë në një kompeticion kaq të madh, me skuadra dhe futbollistët më të mëdhenj në botë. Duhet ta shfrytëzojmë dhe të shkojmë atje për të luftuar për çdo pikë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë". (A2 Televizion)