Tronditet Serbia para Shqipërisë, trajneri shpërthen kundër lojtarëve: Dorëhiqem nëse jam unë problemi!

Nga A2 CNN
2 Qershor 2025, 17:49 | Futboll

Tronditet Serbia para Shqipërisë, trajneri shpërthen kundër

Trajneri i ekipit kombëtar serb, Dragan Stojkoviç, mbajti një konferenvcë të stuhishme për media para ndeshjeve kundër Shqipërisë dhe Andorrës.

Tekniku serb pati një reagim të dhunshëm ndaj pyetjes në lidhje me numrin e madh të refuzimeve që mori nga futbollistët, teksa gazetarët i mëshuan mungesës së mesfushorit Sergej Milinkoviç-Saviç dhe vëllait të tij, Vanja.

Stojkoviç iu kthye ashpër duke thënë se do të japë dorëheqjen nesër në rast se përbën problem fakti se disa futbollistë nuk duan të luajnë për ekipin kombëtar.

“Problemi është i Svilarit, jo i imi. Mos prisni që unë të shkoj në Romë. Mund të ha drekë, të pi një kafe ekspres, të shoh një ndeshje... por të shkoj t'i lutem dikujt, kjo nuk do të ndodhë kurrë. Jo Svilari, por kushdo të jetë. Ke bërë një gabim në llogari, është faji yt. Shkëlqyeshëm, gjithë të mirat, të gjithë kanë të drejtë në lëvizjet e tyre. Tha se donte t’i përkushtohej klubit të tij sepse kishte një shans, donte të përqendrohej në këtë. Ai e shfrytëzoi shansin e tij dhe jam shumë i lumtur për këtë”, tha tekniku serb, pas refuzimit që i bëri kombëtares portieri i Romës, Mile Svilar.

Më tej Stojkoviç vijoi: “Nëse unë jam problemi? Po jap dorëheqjen menjëherë pas kësaj konference, në mënyrë që të jeni të qartë. Ndoshta jo tani, por nesër, nëse kjo është e vërtetë. Nuk mendoj se kjo është e vërtetë”.

“Këta janë lojtarë që panë se nuk kishte vend dhe pastaj thanë: 'Po them lamtumirë'. Ekipi ndryshon, i thërras lojtarët sipas meritës. Ata mendojnë se Lazović nga Verona, e cila lufton për mbijetesë çdo vit, është ajo që i duhet Serbisë. Dmitroviç? Një portier i shkëlqyer, dhe unë vendosa për Petrovićin? A jam gabim? Epo, unë nuk e bëra. Dhe cili është problemi, Dmitrović i zemëruar? Epo, jam gjithashtu i zemëruar që nuk e mundëm Slloveninë. Ju përmendët Radonjiçin. Cili është problemi? Nuk më pëlqen ai? Nuk më pëlqen modeli i tij i flokëve? Ai shkatërron veten, shkatërron Crvena Zvezdën, shkatërron ekipin kombëtar ose vetëshkatërrohet. Ky është problemi i tij. Dhe doni të më thoni se ai e meriton të jetë në ekipin kombëtar? Është sikur dikush është çmendur. Po flas hapur... Gjithçka është në bazë të meritës, le të zemërohen me mua sa të duan, kjo është puna e tyre, dhe ata që nuk luajnë do të zemërohen gjithmonë. Për sa kohë që jam këtu, unë do të vendos se kush do të luajë, u takon lojtarëve të tregojnë veten dhe të vërtetojnë veten, të konfirmojnë se kam të drejtë t'i ftoj. Përgjegjësia është e madhe dhe lojtarët duhet ta kuptojnë këtë”, u shpreh tekniku i kombëtares serbe. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos