Atmosferë festive në rrugët e Willemstad-it, pavarësisht humbjes së thellë 7-1 ndaj Gjermanisë në debutimin historik të Curaçaos në Kupën e Botës 2026. Banorët e vendit karaibian dolën në sheshe, kërcyen dhe festuan golin e parë të kombëtares së tyre në një Botëror.
Edhe pse përballë një Gjermanie shumë superiore në eksperiencë dhe cilësi, Curacao arriti të shkruajë historinë me golin e Livano Comenencias. Gjuajtja e tij e devijuar mposhti portierin Manuel Neuer dhe për disa minuta ndezi entuziazmin e tifozëve, duke barazuar rezultatin në 1-1.
Ndeshja nisi në mënyrën më të vështirë për debutuesit, pasi Felix Nmecha realizoi golin më të shpejtë të këtij edicioni të Kupës së Botës. Megjithatë, trajneri i Curaçaos, Dick Advocaat, deklaroi pas ndeshjes se ekipi i tij ende mund të zhvillojë një turne pozitiv dhe se përvoja në këtë Botëror do t’i ndihmojë lojtarët të rriten më shumë.
Në kryeqytetin Willemstad, tifozët e ndoqën takimin në ekranet gjigante të vendosura në sheshe dhe lokale. Pavarësisht humbjes, ata u shprehën krenarë për përfaqësimin e kombëtares së tyre në skenën më të madhe të futbollit botëror dhe besojnë se Curacao mund të surprizojë në ndeshjet e ardhshme të turneut. (A2 Televizion)