Histori kuqezi në Taranto. Shqipëria fiton medaljen e parë të artë në Lojërat Mesdhetare

Nga Dea Kozma
25 Gusht 2026, 12:48 | Sporte të tjera

Histori kuqezi në Toronto. Për herë të parë, Shqipëria fitoi medaljen e parë të artë në Lojërat Mesdhetare, dhe heroi është Islam Dudaev.

Mundësi me origjinë çeçene triumfoi në kategorinë deri në 74 kilogramë, në stilin e lirë, duke mposhtur në finale Fati Vejselin, shqiptarin e Maqedonisë së Veriut.

Dudaev ishte në avantazh 4-0, përpara se Vejseli të pësonte dëmtim dhe të mos mund të vazhdonte përballjen, shkruan A2.

Një medalje që hyn në historinë e sportit shqiptar, pasi është e para e artë për Shqipërinë në Lojërat Mesdhetare. Për Dudaev, ky është një tjetër sukses i madh në karrierë, pas medaljes së bronztë olimpike dhe titullit kampion Europe.

“Jam shumë i lumtur dhe falenderues. Shqipëria është shtëpia ime tani. Faleminderit dy trajnerëve të mi, presidentit të mundjes, Sahit Prizreni, shihemi së shpejti në kampionatin botëror”, tha mundësi.

Por, dominimi i mundjes kuqezi në Taranto nuk u ndal këtu. Zelimkhan Abakarov siguroi medaljen e argjendtë në kategorinë deri në 65 kilogramë, në stilin e lirë. Në finale, Abakarov u mund 4-2 nga turku Ahmet Duman, duke u ngjitur gjithsesi në podium.

Më herët, ishte Ardit Zeneli ai që hapi serinë e medaljeve shqiptare në këto lojëra. 22-vjeçari fitoi bronzin në kategorinë deri në 67 kilogramë, në stilin greko-romak, pasi mposhti kundërshtarin grek Stavros Ntounias me rezultatin 9-8 në duelin për vendin e tretë.

Deri më tani, Shqipëria ka koleksionuar tre medalje nga Lojërat Mesdhetare. Mundja mbetet një sport që ngre flamurin kuqezi në majë, ari i Dudaev, argjendi i Abakarov dhe bronzi i Zenelit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos