
Russell Westbrook, ish-MVP i NBA dhe rekordmeni i “triple-double”, ka njoftuar tërheqjen nga basketbolli pas 18 sezonesh në ligën më të fortë të basketbollit në botë.
37-vjeçari e bëri të ditur vendimin të mërkurën përmes rrjeteve sociale, në një video rreth tre minuta e gjysmë. Në fund të videos shfaqej mesazhi: “Gjëja më e madhe që ai la pas nuk mund të vendosej në një muze. Nuk kishte nevojë të thuhej kurrë”.
Gjatë karrierës së tij, Westbrook regjistroi 209 “triple-double”, më shumë se çdo lojtar tjetër në historinë e NBA-së. Rekordin e tij sezonal prej 42 “triple-double” e vendosi në sezonin 2016-17, kur fitoi çmimin MVP pasi u bë lojtari i parë që nga Oscar Robertson në sezonin 1961-62 që e mbylli një sezon me mesatare “triple-double” në statistikat e tij të përgjithshme. Në atë sezon historik, ai shënoi mesatarisht 31.6 pikë, 10.7 topa në tabelë dhe 10.4 asistime për ndeshje.
Nëntë herë i përzgjedhur në ekipin “All-Star”, Westbrook renditet i pesti në historinë e NBA-së për asistime, me 10 351, dhe i 14-ti për pikë të shënuara, me 27 176. Ai kryesoi ligën tri herë në asistime dhe dy herë në pikë.

Westbrook u përzgjodh gjithashtu në “NBA 75th Anniversary Team” në vitin 2021. Ai fitoi çmimin MVP të All-Star Game në dy sezone radhazi, në 2015 dhe 2016, ndërsa me Kombëtaren e SHBA-së fitoi medaljen e artë në Lojërat Olimpike të Londrës në vitin 2012.
Në 1 301 ndeshje të sezonit të rregullt, me shtatë skuadra të ndryshme, Westbrook regjistroi mesatarisht 20.9 pikë, 8.0 asistime dhe 6.9 topa në tabelë. Në 135 ndeshje “playoff”-i, ai kishte mesatare prej 22.5 pikësh, 7.1 asistimesh dhe 6.7 topa në tabelë.
Westbrook u zgjodh i katërti në Draftin e NBA-së në vitin 2008 nga Seattle SuperSonics, skuadër që u zhvendos në Oklahoma City para sezonit të tij të parë. Ai kaloi 11 sezone me Oklahoma City Thunder, duke formuar një treshe të frikshme me Kevin Durant dhe James Harden. Thunder arriti finalen e NBA-së në vitin 2012, por u mposht nga Miami Heat.
Në gjashtë sezonet e fundit, Westbrook luajti për pesë skuadra të ndryshme. Sezonin e fundit e mbylli me Sacramento Kings, ku në 64 ndeshje regjistroi mesatarisht 15.2 pikë dhe 6.7 topa në tabelë.
Pas 18 sezonesh, një titulli MVP, nëntë përzgjedhjeve All-Star dhe një rekordi historik prej 209 “triple-double”, Russell Westbrook largohet nga NBA si një nga lojtarët më të veçantë dhe më produktivë të gjeneratës së tij.
(A2 Televizion)