Debutimi me Ferrarin për 7 herë kampionin e botës, Lewis Hamilton ndodhi këtë të mërkurë siç ishte parashikuar, në pistën e Fioranos, në shtëpinë e kokëkuqes italiane.
Aventura e re e Sir Lewis filloi në orën 09:10 në një ditë gri, por jo të ftohtë. Menjëherë pasi hipi në Ferrarin SF-23 me numrin 44, Lewis ua bëri me dorë tifozëve të shumtë, të cilët prisnin për ta parë duke pilotuar në skajet e pistës.
Vetëm një xhiro rreth pistës përpara se të kthehej në bokse për një kontroll. Dhjetë minuta më vonë Hamilton nisi përsëri pilotimin për rreth dhjetë xhiro me dy teste fillestare për t'u njohur me procedurat e nisjes.
Programi i punës së mëngjesit të parë të anglezit si pilot i kokëkuqes përfundoi pas dy orësh. Puna në pistë (rreth tridhjetë xhiro në total) u pasua nga një takim me inxhinierët, i nevojshëm për të ndarë përshtypjet e tij të para rreth makinës.
Pasdite në Fiorano do të nisë testimet Charles Leclerc, i cili rikthehet të pilotojë kokëkuqen me të cilin përfundoi Kampionatin Botëror në vendin e pestë.
Për "premierën" e tij në Fiorano, Hamilton u shfaq me një helmetë pothuajse tërësisht të verdhë, me dekorime të kuqe, të cilën ai vetë e kishte prezantuar përmes rrjeteve sociale të martën në mbrëmje dhe që do ndoshta do të përdoret për testin parasezonal. (A2 Televizion)