
Lazio po përgatitet për përfundimin e sezonit në Serie A, pas pauzës së detyruar nga pandemia. Ekipi i Simone Inzaghit ndodhet në vendin e dytë, i gatshëm të sfidojë Juventusin në luftën për titull.
Por disa prej protagonistëve të ekipit ende nuk janë shëruar plotësisht nga dëmtimet e tyre, duke i lënë vendin, për momentin, të rinjve të ekipeve zinxhir.
Njëri prej tyre është Marco Alia, portieri 20-vjeçar i lindur në Genzano të Romës, por me gjak dhe nënshtetësi shqiptare.
Kuqeziu tjetër, titullari i padiskutuar Tomas Strakosha, po merr ende veten nga një dëmtim, ashtu si zëvendësuesi i tij Proto.
Kjo i ka dhënë dritën jeshile portierit të Under-21 shqiptare, që në ndeshjet përgatitore do të ketë mundësi të luajë bashkë me yjet e ekipit, si Milinkoviç, Immobile dhe Luis Alberto.
Një mundësi e shkëlqyer për shqiptarin, që në ekipin italian që i ka dhënë më shumë mundësi shqiptarëve gjatë këtyre viteve, falë edhe drejtimit të Igli Tares, mund të ëndërrojë debutimin e tij në Olimpikon e Romës. (A2 Televizion)