
Nuk është një ditë e zakonshme për studnetët e Fakultetit të Drejtësisë. Ata kanë hyrë në ditën e katërt të ngujimit ndërsa thonë që do të vijojnë rezistencën. Ndërkohë, që ditë më parë kanë marrë garanci nga kreu i Fakultetit të Drejtësisë për zëvendësimin e orëve të mësimit dhe shtyrjen e sezonit të provimeve.
“Bashkërisht vendosëm që të vazhdojmë ngujimin pa afat, pasi kemi parë që nuk është se na janë plotësuar kërkesat, por na ka dhënë një solidarizim me njëri-tjetrin”, thotë një studente. “Dekanin e kemi pasur në mbështetjen tonë. Plotësoi të gjitha kërkesat tona për shtyrjen e sezonit, zëvendësimin e të gjitha leksioneve dhe që të mos merret asnjë masë për studentët protestues”.
“Pa u plotësuar kërkesat tona, që janë të ditura që prej ditës së parë të protestës, ne nuk do të bëjmë as provime, as mësim, asgjë”, thotë një tjetër.
Lleshaj: Nuk bëhet fjalë më për studentë
Lidhur me denoncimin e studentëve se po dhunohen nga policia, ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj shprehet se policia nuk po kryen vepër penale, por punon për sigurinë e vendit. “Policia e shtetit nuk bën asnjë vepër penale, por ofron siguri për qytetarët e këtij vendi. Policia nuk pengon askënd të protestojë. Studentët kanë protestuar lirisht në rrugët e vendit. Tani e kanë ndërprerë protestën. Tani nuk flasim më për studentët, por për një grup personash që kanë vendosur një formë tjetër për të shprehur pakënaqësinë ndaj atyre gjërave që mendojnë”, tha Lleshaj. (A2 Televizion)