Sulmohen stacionet hekurudhore, Moska njofton korridore humanitare për civilët në Azovstal

Nga A2 CNN
25 Prill 2022, 13:22 | Bota
Sulmohen stacionet hekurudhore, Moska njofton korridore humanitare për

Sirenat e luftës janë dëgjuar sërish në qytetet rreth ukrainas, përfshirë Lvivin në kufi me Poloninë. Autoritetet ukrainase raportuan se 5 stacione hekurudhore në Ukrainën Qendrore dhe Perëndimore ishin vënë në shënjestër të sulmeve dhe disa persona kishin humbur jetën.

Sakaq, trupat ruse kanë vijuar bombardimet ndaj impiantit metalurgjik në qytetin-port të Mariupolit, dhe sipas Institutit për Studime të luftës me bazë në SHBA, mund të jenë duke u përgatitur për një ofensivë të re në fabrikën ku janë strehuar forcat e mbetura të rezistencës dhe një sërë qytetarësh. Ekspertët mendojnë se, qëllimi i komandantëve rusë mund të jetë edhe të vdesin urie forcat ukrainase.

“Në drejtim të Donetsk dhe Taviriia, armiku sulmoi me artileri pozicione të forcave të armatosura të Ukrainës. Në qytetin e Mariupolit, armiku bombardoi pozicione të trupave tanë në impiantin e Azovstal”, tha zëdhënësi i Forcave të Armatosura, Oleksandr Shtupun.

Moska njoftoi të hënën armëpushim të përkohshëm për evakuimin e civilëve që gjenden në bunkerët e fabrikës së Azovstal, e megjithatë korridoret humanitare të njoftuar gjatë ditëve të shkuara në Mariupol, nuk kanë funskionuar.

Më herët, Kievi propozoi mbajtjen e një raundi të posaçëm negociatash me Rusinë, pranë fabrikës së çelikut, diçka që sipas këshilltarit të presidentit Zelenski, do të ndihmonte në vendosjen e armëpushimit dhe përcaktimin e fatit të luftëtarëve të bllokuar në qytetin-port.

Sipas raportit të fundit të inteligjencës britanike, Rusia ka bërë përparime të vogla që kur zhvendosi fokusin te pushtimi i plotë i rajonit lindor të Donbasit. Por siç thuhet, pa një mbështetje efikase logjistike dhe luftarake, trupat e Vladimir Putin ende nuk ia kanë dalë të sigurojnë ndonjë fitore të rëndësishme. edhe eksperti amerikan, profesor Philip O’Brien, e vuri theksin te disfatat e ushtrisë ruse.  

“Ata kanë pësuar humbje të konsiderueshme në Kiev dhe zona të tjera, dhe nga ajo që po shohim nuk po luftojnë në mënyrë inteligjente”, thotë O’brien, i cili përmend si faktorë kryesor moralin e ulët dhe lodhjen e trupave të Moskës. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos