Shpesh herë jemi në mëdyshje nëse duhet t’i kalojmë pushimet duke vizituar vende historike apo duke qëndruar në një hotel luksoz me 5 yje. Po sikur t’i bëjmë të dyja në të njëjtin vend?
Një hotel i ri është hapur në fillim të këtij viti në Antakya të Turqisë, i cili është në të njëjtën kohë një mrekulli inxhinierike, një bukuri arkitekturore dhe zonë arkeologjike e klasit botëror.
Ashtu si shumë hotele të tjera nëpër botë, Hoteli Museum në Antakya është përkohësisht i mbyllur për shkak të pandemisë së koronavirusit, por është duke pranuar prenotime për periudhën e qershorit dhe duhet konsideruar si një plan për udhëtimin e ardhshëm.
Një project që zgjati mbi 10 vjet, hoteli me 200 dhoma rri pezull me qindra kolona çeliku mbi muzeun arkeologjik “Necmi Asfuroglu”, i cili përmban rreth 35 mijë artefakte nga shekulli i tretë Përpara Krishtit.
E gjithë historia nisi në vitin 2009 kur familja Asfuroglu nisi gërmimet për atë që do të ishte një super hotel luksoz dhe hasën në rrënojat e qytetit të vjetër të Antioch, rreth disa kilometra larg qendrës moderne të Antakya.
Projekti i parë për të vijuar më tej ndërtimin dështoi, por familja e pranoi sfidën. Ata bashkëpunuan me bashkinë e Antakya, muzeun arkeologjik të Hatay dhe Këshillin për ruajtjen e Aseteve Kulturore në Adana, për një nga gërmimet arkeologjike më të mëdha që nga viti 1930.
Gjatë periudhës 10 vjeçare të projektit ata zbuluan dhe një nga mozaikët më të mëdhenj në botë rreth 1050 metra katrorë dhe statujën e parë prej mermeri të perëndisë greke Eros.
Familja Asfuroglu pajtoj arkitektin me famë botërore Emre Arolat për të projektuar hotelin. Rreth 20 mijë tonë struktura çeliku, (4 herë më shumë nga Kulla Eiffel) u punuan me dorë në një uzinë speciale pranë Stambollit. Kostoja e ndërtimit të tij i kapi 120 mln dollarë, 4 herë më shumë nga projekti i parë. (A2 Televizion)