
Një delegacion amerikan do të zhvillojë diskutime sot dhe nesër në Doha me përfaqësuesit e talebanëve, për herë të parë që nga tërheqja nga Afganistani. Kjo u njoftua nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur kontakte me sundimtarët e rinj të Afganistanit që nga kapja e Kabulit në gusht, por ky do të jetë takimi i parë që do të mbahet personalisht.
"Ne do të bëjmë presion që talebanët të respektojnë të drejtat e të gjithë afganëve, përfshirë gratë dhe vajzat, dhe të formojnë një qeveri gjithëpërfshirëse me mbështetje të gjerë", tha një zëdhënës i departamentit amerikan.
"Ndërsa Afganistani përballet me mundësinë e një rënieje të rëndë ekonomike dhe një krize humanitare, ne gjithashtu do të bëjmë presion që talebanët t'u japin agjencive humanitare qasje të lirë në zonat e trazuara," shtoi burimi.
“Takimi i Dohas në asnjë mënyrë nuk do të thotë që Shtetet e Bashkuara të njohin regjimin taleban në Afganistan. Ne vazhdojmë ta bëjmë të qartë se i gjithë legjitimiteti duhet të fitohet përmes veprimeve të talebanëve” , theksoi Departamenti Amerikan i Shtetit. (A2 Televizion)