Të detyruar të braktisnin shtëpitë e tyre si pasojë e konfliktit që ka nisur prej 9 vitesh në Siri, me dhjetra persona janë strehuar brenda një tempulli 1900-vjeçar kushtuar Zeusit.
Ata janë munduar të përshtatin për jetesë rrënojat romake në zonën Beqirja, jo shumë larg nga kufiri me Turqinë. Ky vend është gjithashtu i mbrojtur nga UNESCO.
Abdelaziz al-Hassan, një prej personave që jetojnë në këto rrënoja, është shprehur se nuk dëshiron të jetojë në një kamp të mbipopulluar, pas largimit nga lufta në veriperëndim të Sirisë.
Familja e tij ngriti një strehë në rrënojat e tempullit romak. Ai, së bashku me bashkëshorten dhe tre fëmijët, janë mes miliona sirianëve që kanë braktisur shtëpitë e tyre dimrin e kaluar pas sulmit të mbështetur nga Rusia në bastionin e fundit të rebelëve në Siri, Idlib.
“Unë zgjodha këtë vend sepse të siguron qetësi shpirtërore, larg vendeve të mbipopulluara dhe atyre të mbushura me sëmundje”, tregon Abdelaziz al-Hassan, shkruan Daily Mail.
Siria është e mbushur me site arkeologjike, nga tempujt romakë, deri te ndërtimet Osmane. Shumë prej këtyre vendeve janë dëmtuar, bombarduar ose plaçkitur gjatë konfliktit 9-vjeçar që ka vrarë më shumë se 380 mijë persona dhe ka zhvendosur miliona të tjerë. (A2 Televizion)