
Në një deklaratë për mediat pak minuta nga mbyllja e procesit të votimit, Sali Berisha përshëndeti qytetarët që sipas tij dolën masivisht në zgjedhje për t’iu kundërvënë regjimit të Edi Ramës.
Ish kryeministri bëri një falënderim për komisionerët që sipas tij e kryen detyrën me përgjegjësi dhe iu kërkoi atyre që në të njëjtën mënyrë të vijojnë punën dhe me procesin e numërimit, pavarësisht kërcënimeve që ata kanë patur.
Sipas Berishës, mazhoranca po përpiqet të shpërndajë lajme se pjesëmarrja në votim ka qenë e ulët, por kjo gjë nuk është e vërtetë.
“Këto zgjedhje u zhvilluan në kushtet më të jashtëzakonshme. Qytetarët folën në mënyrën me guxim dhe vendosmëri. Ata kapërcyen mbi konglomeratët, administratën mafioze, oligarkët dhe bandat kriminale. Guximi, vendosmëria, përgjegjësia e qytetarëve sot ishte epike. Pjesëmarrja ka qenë jo ajo që duan ta zvogëlojnë të dëshpëruarit, ata që bënë gjithçka kundër këtij procesi, por një pjesëmarrje ndër më të denjat nga qytetarët nga 4 anët e vendit. Kam vlerësimin më të lartë dhe mirënjohjen të të gjithë të rinjve, burrave dhe grave që qëndruan në krye të përgjegjësisë në komisionet e votimit dhe u përballën me presione dhe kërcënime nga më të papranueshmet, por kryen me nder para shqiptarëve një detyrë të rëndësishme. Në kushte paqe kjo është detyrë mbi detyrat. Iu bëj thirrje që me atë përgjegjësi që dëshmuan gjatë ditës, me atë guxim që përballuan presionet e egra të mafies shtetërore të bandave të numërojnë çdo votë. Garantoj qytetarët se vota e tyre do të peshojë më shumë se asnjëherë, se kjo betejë është historike dhe këtë betejë do e fitojnë vetëm ata që mbrojnë kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Sali Berisha. (A2 Televizion)